Specialja “u braktis” nga tre prokurorë të rëndësishëm, edhe i katërti në ikje

Alex Whiting ishte pjesëmarrës në pothuajse të gjitha seancat që zhvilloheshin në Gjykatën Speciale. Por, në disa të fundit, ai nuk u paraqit.

Marketing

Kjo pasi Whiting, shef i hetimeve në Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Hagë, pritet ta ndërrojë vendin e punës. Francezi Whiting bën pjesë në mesin e kandidatëve potencialë që është përzgjedhur, për t’u emëruar zv/prokuror në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.

Për dallim nga Whiting, kolegu i tij në Prokurorinë e Dhomave të Specializuara, David Harbach, tashmë është larguar.

Harbach nga muaji tetor ka nisur punën në një zyrë avokature në Uashington.Nga Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk kanë pranuar të komentojnë, me arsyetimin se janë çështje private të prokurorëve. Por, në një përgjigje për RTK-në janë zotuar se kjo nuk do të ndikojë në punën e ZPS-së.

Megjithatë, me këtë konstatim të Prokurorisë nuk po pajtohen juristët në Kosovë.

“Krijohet një vakum i madh, dhe procesi që ka filluar i gjykimit që ka filluar tash e një vit, shkakton një zvarritje gjithmonë në dëm të të akuzuarve. Ky vakum merr kohë fillimisht pjesa e plotësimit dhe rekrutimit të prokurorëve të rinj që vonon dukshëm, dhe pastaj këtyre prokurorëve iu merr kohë që të trajtojnë me mijëra materiale që janë nëpër aktakuza”, ka thënë Anton Nrecaj nga Instituti Clard.

Që nga vitit 2016, 4 prokurorë kanë lënë Prokurorinë e Specializuar. Përveç Alex Whiting e David Harbach, në vitin 2018 ishte larguar prokurori i specializuar David Schwindeman. E në vitin 2020 edhe zv/prokurori i Specializuar, Kwai Hong Ip.

Shwindeman ishte larguar me arsyetimin se ligjet amerikane nuk ia mundësojnë që ta mbajë atë pozitë më gjatë. Kurse Hong Ip edhe pse u largua në kohën e dosjeve që u publikuan nga OVL-UCK, u tha se dha dorëheqje pasi kishte marrë një ofertë më të mirë pune.