“Mendohej se nuk kishte mundësi të korruptohen. Autoriteti i tyre ishte simbol i sundimit të ligjit në vend. Por tani ekzistojnë dyshime se është përfshirë në një rast serioz të shantazhit: Katica Janeva së fundmi ka dhënë dorëheqjen si shefe e Prokurorisë Speciale Publike në Maqedoni (PSP), e cila heton raste të korrupsionit dhe krimin të organizuar në nivelin më të lartë”, shkruan gazeta gjermane Spiegel.
Në tekstin e titulluar “Heroina e dyshuar e revolucionit laraman” gazeta gjermane Spiegel shkruan se rasti “Reket” ka shkaktuar tërmetin më të madh politik të viteve të fundit në Maqedoninë e Veriut, e që ka tronditur publikun.
Sipas tyre, PSP si simbol i “Revolucionit laraman” ka kontribuar në rënien e regjimit nacionalisto-autoritar dhe mafioz të ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski.
“Demonstratat filluan para ndërtesës së PSP-së, në kryeqytetin maqedonas të Shkupit. Shumë njerëz mbanin bluza ku shfaqeshin Janeva, zëvendësja e saj Fatime Fetai dhe zëdhënësja e PSP-së Lançe Ristoska. Ky mit për një heroinë tani është shkatërruar”, shkruan Spiegel, transmeton Alsat.
Në tekst thuhet se Jovanovski i njohur si “Boki 13” dhe bashkëpunëtori i tij Zoki Kiçeec i kishin premtuar oligarkut Jordan Kamçev se do të përdorin ndikimin e tyre për ta mbrojtur atë nga ndjekja penale, duke u mbështetur në miqësinë e tyre me Janevën.
Autori i tekstit komenton se publiku nuk e besonte deklaratën e Janevës, e cila tha se në fakt kishte tentuar ta rekrutonte Kamçevin si një bashkëpunues-dëshmitar.
Në tekst, Kamçev përshkruhet si maqedonasi më i pasur, por në të njëjtën kohë si një personifikim i korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.
“Nën sundimin e Gruevskit, ai mori marrëveshje në vlerë të milionave. Një nga partnerët e tij kryesorë ishte ish-shefi i frikshëm i shërbimit të inteligjencës, Sasho Mijallkov, drejtori i regjimit të Gruevski”, shkruan Spiegel, përcjell Alsat.
Sipas Spiegel, “qeveria reformatore e LSDM-së ka reaguar në mënyrë të pasigurt, dhe se publiku ka fituar përshtypje se kryeministri Zoran Zaev po përpiqet të fshehë diçka”. Drejt akuzave, sipas gazetës gjermane “Zaev është përgjigjur se nuk do të lejojë që disa mafiozë kriminelë, një gazetar dhe një pederast të rrëzojnë qeverinë e tij nga pushteti”, ndërsa kjo ka shkaktuarnjë stuhi zemërimi tek publik.
“Afera ka tronditur Maqedoninë e Veriut në një situatë delikate. Për shkak të mungesës së reformave në fushën e sundimit të ligjit, pakënaqësia ndaj qeverisë së Zaev është në rritje. Sa i përket politikës së jashtme, vendi është nën presion sepse fillimi i negociatave për anëtarësim në BE në qershor është shtyrë, pjesërisht për shkak të rezervave në Francë, Holandë dhe Gjermani për mungesën e masave antikorrupsion dhe reformave shumë të ngadalta gjyqësore. Rasti “Reket” tani duket se tashmë ka konfirmuar rezervat e këtyre shteteve”, përfundon Spiegel.