Vazhdojnë protestat në Sri Lanka, raportohet se protestuesit kanë hyrë në rezidencën private të Presidentit Gotabaya Rajapaksa, dhe i kanë vënë zjarrin, lajmi u njoftua nga zyra e Presidentit.
Rajapaksa nuk ishte në rezidencë në kohën kur u protestuesit vunë flakën. Ai ishte zhvendosur më parë në një vend më të sigurt, njofton zyra e tij.
Rezidenca private në Fifth Lane në kryeqytetin tregtar të Colombo është vendi ku banon kryeministri dhe familja e tij. Ajo është e ndarë nga rezidenca zyrtare, e quajtur “Pemët e Tempullit”.
Mijëra protestues të ardhur nga i gjithë vendi mësynë pallatin presidencial në kryeqytetin Kolombo ditën e shtunë, në shenjë pakënaqësie ndaj mënyrës se si qeveria po menaxhon krizën ekonomike.
Manifestimi, një prej marshimeve më të mëdha antiqeveritare në vendin e zhytur në krizë përshkallëzoi në dhunë pasi mijëra qytetarë të zemëruar kaluan barrikadat policore duke hyrë në pallatin presidencial dhe zyrën e afërt të Presidentit Gotabaya Rajapaksa.
Policia qëlloi plumba në ajër dhe hodhi gaz lotsjellës por nuk arriti ta ndalonte turmën të hynte në pallat. Dhjetëra persona kanë mbetur të plagosur.
Pamjet tregojnë qytetarë me flamuj të Sri Lankës në duar dhe helmeta, teksa mësyjnë në rezidencën e kreut të shtetit, duke u zhytur edhe tek pishina e tij.
Ishulli prej 22 milionë banorësh po përballet me vështirësi për importin e ushqimeve, karburantit dhe medikamenteve dhe është zhytur në krizën më të thellë ekonomike që prej pavarësisë së arritur në vitin 1948. Zemërimi publik i drejtohet kryesisht familjes së presidentit, e cila fajësohet për korrupsion dhe nepotizëm.