Stafi mjekësor i “Alo Doktor”, pa paga 12 muaj

Mjekët të angazhuar në linjën telefonike “Alo Doktor”, nuk marrin rroga nga muaji janar i vitit 2018. Nga baza telefonike, një mjek thotë se kjo linjë, me gjasë, do të mbyllet vitin që vjen. “Për këshilla mjekësore, paraqiten në linjën telefonike shumë pacientë, por problemi është se kjo linjë nuk do të funksionojë në të ardhmen, për arsye se nuk kemi marrë rrogë, që nga muaji i parë i këtij vitit. Pra, për 342 ditë, nuk kemi marrë asnjë qindarkë, ndonëse na është premtuar. Ky është një problem i madh, për të 25 mjekët specialist, nuk ka pagë, të cilët janë të angazhuar për të dhënë këshilla mjekësore”, tha për KOHA një mjek nga “Alo Doktor”. Nga Ministria e Shëndetësisë thanë për gazetën tonë se nuk është planifikuar fond për këtë staf mjekësor dhe ky problem pritet të zgjidhet me rishikimin e buxhetit.

Marketing

“Meqë në buxhetin e këtij viti në Ministrinë e Shëndetësisë, nuk ishin të parashikuara mjete për “Alo Doktor”, Ministria e Shëndetësisë i siguron me rishikim të buxhetit. Së shpejti zhvillohet një program i vazhdueshëm, i cili do të përfshijë fonde për këtë projekt dhe mjekët do të paguhen deri në fund të vitit 2018”, thanë nga kjo Ministri

Në linjën telefonike “Alo Doktor” në javë paraqiten rreth 5000 pacientë edhe gjatë orëve të vona të natës paraqiten shumë. “Ne japim këshilla për tematika të problemeve medicinale, paraqiten për shqetësimet shëndetësore të fëmijës, për temperaturat e larta, kollitje, për tensionin e lartë, për kokë dhimbje, ata që kanë shqetësim nga ajri i ndotur, që kanë rrjedhje të hundëve, lotim të syve, me patologji të ndryshme, konsultohen se çfarë të konsumojnë, sa sasi të barnave. Ata konsultohen se ku duhet të marrin ndihmë, te cili doktor ose klinikë, pra i udhëzojmë çfarë të bëjnë, e ku të drejtohen. Ata, të cilët janë në gjendje të vështirë, menjëherë udhëzohen të kërkojnë ndihmën e shpejtë.

Shumë qytetarë e konsiderojnë të dobishme këtë linjë telefonike dhe kërkojnë që ky shërbim të vijojë të funksionojë edhe në të ardhmen.“Jam lajmëruar shpesh, kur më është keqësuar gjendja shëndetësore dhe menjëherë më janë përgjigjur thirrjes sime. Njëherë ka qëlluar në ora 3 të mëngjesit dhe telefoni i tyre është hapur menjëherë dhe kam dëgjuar këshillat e mjekut këshillues. Unë kam probleme me shtypjen. Kjo mënyrë e këshillimit është shumë e dobishme, veçmas për të moshuarit dhe për ata të cilët jetojnë vetëm”, tha një i moshuar.

Qytetarët thonë se është e nevojshme kjo linjë dhe këshilla e mjekut, veçmas për të moshuarit dhe për nënat e reja. Ka nga ata qytetarë, të cilët nuk janë të informuar se mund të marrin këshilla mjekësore përmes telefonit, të tjerët thonë se kanë nevojë, por nuk e kanë shtypur asnjëherë numrin e telefonit, për tu këshilluar mbi problemin e tyre shëndetësor.

Grup moshat të cilat më së shumti paraqiten në numrat e telefonit të “Alo Doktor” janë më pak moshat e reja dhe më shumë ata mbi 50 vjeç, pensionistët. Ndryshe, projekti “Alo Doktor” funksionon nga shtatori i vitit 2014. Numri i linjës telefonike të “Alo Doktor” është 15123.