Kulla e famshme e Vajzës (Kız Kulesi) në Istanbul u rihap të enjten pas një restaurimi të gjatë dhe të përpiktë, raporton Anadolu.
“Ne po ndryshojmë funksionalitetin e strukturave ikonike ndërsa i restaurojmë ato, veçanërisht në rajonet turistike”, tha më parë gjatë ditës ministri i Kulturës dhe Turizmit Mehmet Nuri Ersoy.
“Ne duam që ato të kenë pjesën e tyre në turizëm” duke i hapur ato për përdorim publik, tha Ersoy në rihapjen e monumentit, i cili ndodhet në Ngushticën e Bosforit.
Një nga strukturat karakteristike të Istanbulit, historia e Kullës së Vajzës daton në vitin 410 para erës sonë, tha ai në fjalën e tij, duke shtuar se objekti më parë i ishte nënshtruar restaurimit në vitet 1999-2000.
“Po flasim për një ndërtesë historike rreth 2.400 vjet. Është një strukturë shumë e vjetër. Është shkatërruar dhe rindërtuar shumë herë”, vuri në dukje ai.
Kulla u rihap pas një restaurimi të madh dyvjeçar sipas një projekti të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit. Materialet e përdorura në punime ishin në përputhje me gjendjen e kullës gjatë sundimit të Sulltan Mahmudit II (1808-1839), ndërsa shtesat e mëvonshme në strukturë janë hequr.
Rinovimi i kullës u krye në përputhje me parimet ndërkombëtare të restaurimit nga Feridun Çılı nga Universiteti Teknik i Istanbullit, studiuesja e antikiteteve Zeynep Ahunbay dhe arkitekti Han Tumertekin, nën mbikëqyrjen e një komiteti shkencor.
Gjatë rinovimit, u zbulua se kulla ishte dëmtuar nga kripa dhe kimikatet e tjera në betonin dhe çimenton e përdorur, dhe se shtyllat mbajtëse dhe trarët nuk ishin ngjitur me njëra-tjetrën.
Gjatë dy viteve, muret kryesore historike të ndërtesës u forcuan me mbajtëse të padukshme prej çeliku të pandryshkshëm dhe u zbuluan muret origjinale të seksionit të kështjellës.
Problemet në strukturë u zbuluan me një sërë teknologjish, duke përfshirë analizën kimike, skanerët me laser dhe imazhet e gjeoradarit, të cilat ndihmuan ekspertët të gjenin zbrazëtitë në muret e saj, që më pas u mbushën përmes injektimit.
Muret dhe kupola u rindërtuan sipas formës së tyre në fillim të shekullit të 19-të, me mbajtës druri në kornizën e dyshemesë së ballkonit, mbulesa druri në mure dhe elemente dekorative. Ndërsa kupola u mbulua me plumbin e saj origjinal, fletë ari u përdorën për të mbuluar pjesën e sipërme, me një shufër rrufepritëse të vendosur pranë.
Rrugë kalimi u ndërtuan gjithashtu rreth mureve të oborrit që vizitorët të ngjiten në kullë dhe të shijojnë pamjen e Istanbulit.
– Masa të gjera kundër tërmeteve
Për të parandaluar dëmtimin e kullës historike në rast tërmeti, grumbuj të integruar prej çeliku dhe betoni janë futur në tokë rreth ishullit.
Janë shtuar trarë mbështetës prej betoni për të forcuar perimetrin e ndërtesës, ndërsa platforma rreth kullës është rinovuar plotësisht dhe janë vendosur barriera valësh.
Përveç kësaj, linja e ujit të pastër për në kullë është riparuar dhe linjat e saj të energjisë janë rinovuar, ndërsa po ashtu është shtuar një sistem i trajtimit biologjik nëntokësor.
Për më shumë informacione në gjuhën turke dhe atë angleze mbi Kullën e Vajzës, detaje mbi punën e restaurimit dhe shumë më tepër, mund të vizitohet faqja e internetit kizkulesi.gov.tr.