Agjencia e kreditit “Standard & Poor’s” konfirmoi rejtingun e kredisë së vendit në BB- me parashikim të qëndrueshëm. Parashikimi i qëndrueshëm, siç theksohet në raportin e publikuar nga Agjencia e kreditit për Republikën e Maqedonisë së Veriut, pasqyron pritjet se rimëkëmbja e projektuar ekonomike e vendit tonë do të ndihmojë në kufizimin e deficitit të jashtëm dhe fiskal në vitin e ardhshëm.
Agjencia thekson se rejtingu mund të rritet nëse reformat e vazhdueshme strukturore forcojnë kapacitetet institucionale njëkohësisht, duke ruajtur politikat fiskale të qëndrueshme.
Aspiratat e vendit tonë për anëtarsim në BE, mund të paraqesin bazë për përmirësime të tilla institucionale dhe përparim të reformave strukturore, thuhet në raport.
– Ekonomia e Republikës së Maqedonisë së Veriut, po rimëkëmbet nga pasojat e pandemisë. Pavarësisht tkurrjes në tremujorin e parë, ne presim që rritja e ekonomisë të jetë 3.7%. Rritja është nxitur nga rimëkëmbja e madhe sipas kërkesave nga jashtë, që reflekton specifikat e integrimit të RMV-së në zinxhirët globalë të furnizimit, si dhe konsumin privat, si rezultat i përfitimeve nga rimëkëmbja e transfereve private dhe masave të qeverisë për përkrahjen e ekonomisë, që kanë ndihmuar lidhur me të hyrat në dispozicion, thuhet në raport.
Përkeqësimi i mundshëm i gjendjes së pandemisë dhe kufizimeve rrjedhëse mbeten rrezik për rimëkëmbjen e ekonomisë, por siç thekson Agjencia, “eksporti i vendit u tregua rezistent ndaj kufizimeve të vendosura”. Për sa i përket borxhit shtetëror, Agjencia pret që deri në vitin 2024, borxhi të arrijë në 58% të BPV-së .
Në të njëjtën kohë, Ligji për buxhetet, që është në procedurë të miratimit, mund të ndihmojë në forcimin e politikave prudente fiskale dhe forcimin e kornizës fiskale.
Qëndrueshmëria e jashtme e RMV-së reflektohet në aftësinë e saj për tërheqjen e investimeve të huaja, veçanërisht në sektorin e eksportit, siç mund të shihet edhe nga gjendja e deficitit në llogarinë rrjedhëse. Pritet që ky trend pozitiv të vazhdojë edhe në periudhën e ardhshme 2021-2024, thuhet në raportin e Agjencisë së kreditit.