Instituti për shëndet publik prej sot do ta kumtojë statistikën e ditës për numrin e të sëmurëve të rinj deri në orën 15:00, pas çka Ministria e Shëndetësisë do t’u dërgojë informatë mediumeve.
Nga Ministria e Shëndetësisë informojnë se është rritur vëllimi i punës dhe informatave dhe është gjithnjë e më i madh numri i testimeve në disa laboratore të cilat i parashtrojnë raportet e tyre në ISHP.
“Po bëjmë përpjekje të mëdha që me kohë, në mënyrë transparente dhe saktë ta njoftojmë opinionin dhe të komunikojmë me mediumet. Në këto momente është e domosdoshme të kemi të dhëna të sakta, të kontrolluara dhe precize dhe për atë qëllim e zhvendosim kohën e njoftimit. Konferencat për shtyp mbeten të zhvillohen të rregullta për të gjitha informatat shtesë dhe pyetjet nga ana e mediumeve. Shërbimi ynë për Marrëdhënie me opinionin është maksimalisht i përkushtuar t’u përgjigjet pyetjeve në afat sa më të shkurtë dhe këtë do të vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen “, cekin nga Ministria e Shëndetësisë.
Nga Ministria e Shëndetësisë lusin për mirëkuptim nëse në një moment të caktuar nuk përgjigjet mjaft shpejtë dhe se kjo shpesh është për arsye se shërbimet në institucionet shëndetësore të cilat duhet t’i japin informatat janë të mbingarkuara me aktivitetet e tyre dhe nuk mund me shpejtësinë e pritur t’i dërgojnë informatat e kërkuara.