Statusi i Metës, Rama: Mos e merrni seriozisht

Përplasja Rama-Meta ka arritur në një tjetër nivel pas refuzimit të Presidentit për dekretimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm.

Marketing

Teksa kryeministri Rama e ka cilësuar si një vendim të turpshëm dhe anti-kushtetues refuzimin e Metës për dekretimin e Cakajt si ministër të jashtëm, Presidenti ka reaguar mëngjesin e së premtes me një status tepër të ashpër ndaj kryeministrit.

Edhe pse nuk e përmend me emër, mesazhi i Presidentit Meta, qartazi i referohet Ramës, duke shkruar se ai nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe se nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Por nuk ka vonuar shumë edhe reagimi i kryeministrit Rama, i cili përmes profilit të tij në “Twitter” u kërkon shqiptarëve të mos e marrin seriozisht statusin e Metës.

“Mos e merrni seriozisht ju lutem, ose i ka vjedhur Doktorresha e Shkencave passwordin e faqes zyrtare ose pastaj eshte ne ate fazen kur i ben thirrje popullit per te marre armet, ngaqe s’di si te dale nga gropa qe i hap vetes! I çova provat e mekatit ndaj Gentit dhe vuan tani🤔”, shkruan Rama

Statusi i plotë i Metës
Ai që guxoi të kërcënojë komisar Zaganin pse denoncoi bashkëpunimin e trafikantëve të drogës me pushtetarët, ai që guxoi të kërcënojë nënkomisarin e Fushë-Krujës pse hetoi dhunimin e një vajze nga djali i një deputeti, ai që guxoi të kërcënojë një profesor të nderuar vetëm pse i shkruajti një letër Presidentit të Republikës në mbrojtje të interesit kombëtar, ai që kërcënon çdo ditë gazetarë e pronarë mediash, ai që kërcënon prokurorë e gjyqtarë, ai që kërcënon opozitarë dhe dëshmitarë, ai që urdhëron falsifikimin e letrave të tenderave e deri tek dokumente të sigurisë kombëtare bëri gabimin fatal të kërcënojë edhe Presidentin e Republikës së Shqipërisë në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Nuk ka fuqi në botë t’i bëjë presion e shantazh Presidentit të Republikës së Shqipërisë.

Nuk ka Gjykatë Kushtetuese në botë që ndalon e interpreton kompetencat që i jep Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, Presidentit, për emërimin e shkarkimin e ministrave e në veçanti të atyre që janë anëtarë të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Interesi kombëtar i pari! Shqipëria e Para!🇦🇱”, shkruan Meta në faqen e tij në Facebook./top channel