Ministri i Brendshëm i Serbisë, Nebojsha Stefanoviq tha sot se ministria që ai drejton do të veprojë në përputhje me urdhrin e gjykatës në rastin e vizitës së Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në Luginë të Preshevës.
Stefanoviq në pyetje të gazetarëve nëse Serbia do të vepronte në mënyrë diplomatike në rast të shkuarjes së Thaçit “ose do të arrestohej nën akuzat tona”, u përgjigj se Serbia është një vend ku ekziston sundimi i ligjit, raportojnë mediat serbe.
Nga ana tjetër, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq ka thënë gjatë ditës se qeverisë serbe nuk i është bërë njoftim për vizitën e mundshme të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në Preshevë dhe se ai duhet së pari t’i drejtohet Qeverisë së Serbisë.
Sipas raportimeve të mediave, Thaçi së bashku me Komisionerin për Zgjerim të BE-së, Johannes Hahn të mërkurën pritet të vizitojnë komunat jugore serbe ku jetojnë shqiptarët.