Stejt Departamenti amerikan na radhiti ndër vendet që janë fiskalisht transparente – MF vazhdon me avancimin e transparencës

Sipas Raportit të transparencës fiskale për vitin 2022 të Stejt Departamentit amerikan, radhitemi ndër vendet që përmbushin kriteret e tyre për transparencë fiskale. Sipas këtij raporti, vlerësohen dy aspekte – dokumentet që lidhen me buxhetin nacional, marrëveshjet e lidhura dhe licencat koncesionare.

Marketing

Raporti për vitin 2022 vlerëson nëse qeveritë i publikojnë dokumentet e buxhetit duke përfshirë edhe shpenzimet e ndara sipas shfrytëzuesve të caktuar të buxhetit, si dhe të hyrat sipas burimeve të tyre. Në këtë vlerësim përfshihet gjithashtu nëse revizioni i jashtëm është kryer në përputhje me standardet ndërkombëtare për revizion të pavarur të raporteve financiare, si dhe nëse është në dispozicion për opinionin publik. Gjithashtu, raporti vlerëson nëse procesi i ndarjes së licencave për koncesionet dhe marrëveshjet qeveritare është në përputhje me ligjet dhe rregullativat dhe nëse ato janë në dispozicion për opinionin publik. Në raportin e Stejt Departamentit amerikan theksohet se nëpërmjet transparencës fiskale, qytetarët informohen se si shpenzohen të hyrat nga buxhetet e shtetit dhe njëherit sigurohet llogaridhënia ndaj qytetarëve, si dhe besimi dhe qëndrueshmëria ekonomike.

Nga 141 vendet që kualifikohen për ndihmë të jashtme nga SHBA-ja, sipas vlerësimit të Stejt Departamentit amerikan, vetëm gjysma e vendeve i kanë plotësuar kushtet, si Republika e Çekisë, Estonia, Hungaria, Izraeli, Letonia, Lituania, Portugalia, Singapori, Sllovakia, por edhe Kroacia dhe Sllovenia, si dhe vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Gjatë viteve të fundit, janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm nga qeveria jonë për rritjen e transparencës fiskale. Janë krijuar disa mekanizma dhe mjete për rritjen e transparencës fiskale, duke përfshirë Buxhetin e qytetarëve, platformën e Financave të hapura, Kalendarin e ndryshimeve tatimore dhe Numëruesin fiskal, i cili në bazë ditore ofron pasqyrë për të hyrat dhe shpenzimet nga buxheti, realizimin e shpenzimeve kapitale dhe në nivel mujor – realizimin e borxhit shtetëror. Gjithashtu, me zgjidhjet e reja ligjore sistemike, si Ligji i Buxhetit dhe ndryshimet në Ligjin për Financimin e Njësive të Vetëqeverisjes Lokale miratohen zgjidhje shtesë që do të vazhdojnë ta përmirësojnë më tej transparencën fiskale në vend.