Gjatë ditës se parë të një stërvitjeje tre ditore ushtarake shumëkombëshe me 60 avionë luftarakë nga Shtetet e Bashkuara, Franca, Izraeli, Spanja dhe Emiratet e Bashkuara Arabe në bazën ushtarake të Andravidës, kryeministri grek Mitsotakis ka theksuar se Greqia do të zgjerojë bashkëpunimin ushtarak me aleatët tradicionalë të NATO-s si dhe fuqitë e Lindjes së Mesme.
Është një përpjekje e vazhdueshme e Athinës për të modernizuar forcat e saj të armatosura, përballë fqinjit të saj ushtarakisht kaq energjik, Turqisë.
“Ne nuk mund të jemi naivë. Ne po përballemi me një seri të re kërcënimesh. Bota jonë është jashtëzakonisht komplekse dhe fqinjësia jonë, për fat të keq, po bëhet më e paqëndrueshme. Greqia do të vazhdojë të forcojë aftësitë e saj mbrojtëse dhe të rinovojë forcat e saj të armatosura” deklaroi kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.
Greqia shpenzon për mbrojtjen më shumë se çdo vend tjetër i BE-së në krahasim me përmasat e ekonomisë së saj. Por ajo ka njoftuar një program të madh të perforcimit të këtij sektori dhe arsenalit të armëve, pas një tensioni të madh me Turqinë në verën e kaluar qe i solli dy vendet shumë pranë një konflikti të mundshëm ushatark.
“Ne do të vazhdojmë të përmbushim standardin prej 2% të shpenzimeve të NATO-s dhe do të vazhdojmë të marrim pjesë në stërvitjet rreth rajonit dhe të forcojmë bashkëpunimin midis forcave tona të mbrojtjes”, shton Mitsotakis.
Megjithëse Athina dhe Ankaraja po përpiqen muajt e fundit të ulen në tryezen e bisedimeve diplomatike, Greqia po vazhdon programin e përshpejtuar pesëvjeçar të përforcimit të arsenalit te saj ushtarak me vlerë 11.5 mld euro.
Zyrtarët grekë në fundjavë nënshkruan marrëveshje me vlerë 1.65 miliardë dollarë me kontraktorin ushtarak të mbrojtjes të Izraelit, Elbit Systems për të krijuar një akademi të re fluturimi pranë qytetit jugor grek të Kalamatës. Gjithashtu, tashmë ka filluar rinovimi i flotës ajrore të avionëve amerikane F-16, ndërsa janë porositur 18 avionë luftarakë francezë Rafale, me vlerë 2.3 miliardë euro.