Stoltenberg: Ajo që po ndodh sot në Evropë mund të ndodhë nesër në Azi

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se ekzistojnë parakushte që në Azi të shpërthejë një konflikt sipas modelit ukrainas, duke akuzuar Kinën për militarizimin dhe afrimin me Rusinë.

Marketing

“Ajo që po ndodh sot në Evropë mund të ndodhë nesër në Azi”, tha Stoltenberg në Uashington, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Sekretarin amerikan të Shtetit, Anthony Blinken, transmeton Telegrafi.

Sipas tij, në Pekin po monitorojnë nga afër zhvillimin e situatës në Ukrainë dhe po nxjerrin mësime që mund të ndikojnë në vendimet e tyre në të ardhmen.

Stoltenberg shtoi se aleatët e NATO-s janë “realisht të shqetësuar” për atë që po ndodh në rajonin e Azisë, gjë që u diskutua në takim në Uashington.

“Kina po rrit ndjeshëm forcat e saj ushtarake, përfshirë ato bërthamore, pa asnjë transparencë. Ajo përpiqet të kontrollojë Detin e Kinës Jugore, kërcënon Tajvanin, tenton të marrë kontrollin e infrastrukturës kritike, duke përfshirë vendet e NATO-s, shtyp popullsinë e saj dhe shkel të drejtat e njeriut”, numëroi disa nga gjetjet Stoltenberg.

Gjithashtu vuri në dukje se Kina po thellon vazhdimisht marrëdhëniet e saj me Rusinë, gjë që është një shqetësim i veçantë për NATO-n.

Stoltenberg po qëndron në Shtetet e Bashkuara përpara takimit të ministrave të Mbrojtjes të NATO-s në Bruksel, më 14 dhe 15 shkurt. /Telegrafi/