Brenda pak javësh keni një referendum për marrëveshjen për emrin. I inkurajoj votuesit që të shfaqen në numër të madh, kjo është mundësi e cila jepet njëherë në jetë – të bëheni anëtare e bashkësisë ndërkombëtare me të gjitha përfitimet të cilat ajo i bart me vete, theksoi sekretari i përgjithshëm i NATO-s. Jens Stoletenberg në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Zoran Zaev.
Theksoi se dera e NATO-s është e hapur, anëtarësimi është në arritje dhe është një mundësi që të përforcohet paqja dhe stabiliteti, si në vend ashtu edhe në rajon dhe siç tha “të merret vend dhe votë e barabartë në tryezën e NATO-s që të inkuadrohet drejt aleancës më të suksesshme në histori”.
“Në Samitin e NATO-s në korrik, Aleanca ju ftoi të filloi bisedime, për inkuadrim pas zgjidhjes së çështjes për emrin me Greqinë. Kompromisi nuk është i lehtë asnjëherë, por të dyja palët kanë bërë kompromis për një të ardhme më të ndritshme”, deklaroi Stoltenberg.
Ai theksoi se kjo është një mundësi historike dhe e papërsëritshme që vendi të bëhet anëtare e plotfuqishme e BE-së dhe NATO-s, por që të arrihet kjo duhet të harmonizohet me marrëveshjen për emrin. Këtë qëndrim ai ua ka transmetuar edhe liderit të VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovskit dhe presidentit Gjorge Ivanov.
“Nuk ka rrugë tjetër për anëtarësim në NATO. E kuptoj se disa mendojnë se mund të thonë ‘jo’ në referendum dhe ‘po’ për anëtarësim në NATO. Nuk ekziston një alternativë e tillë ose do të thoni ‘po’ për marrëveshjen dhe referendumin dhe ‘po’ për NATO. Ideja se mund ta hidhni poshtë marrëveshjen me Greqinë dhe të anëtarësoheni në NATO është një iluzion i plotë. Si mik i vendit tuaj më duhet të jem i hapur me ju. Isha i pranishëm në Samitin në Bukuresht në vitin 2008 dhe e di sa është e vështirë kjo çështje”, tha Stoltenberg.
Njeriu i parë i Aleancës tha se NATO-ja i ruan të sigurt një miliardë njerëz në botë dhe se siguria sjell edhe prosperitet ekonomik. Kjo, potencoi, disa herë është konfirmuar me zgjerimin e NATO-s në Evropë dhe në rajon. Shembulli i fundit, tha është anëtarësimi i Malit të Zi ku dyfish janë rritur investimet.
Shfaqi falënderim për kontributin e Maqedonisë ndaj operacioneve dhe misioneve të NATO-s.
“Dëshirojmë ta shohim vendin tuaj si të suksesshëm. Vetëm populli i këtij vendi duhet të vendos për të jetë e kalueshme kjo rrugë – ardhmëria juaj është në duart tuaja, ne ju presim në NATO”, tha Stoltenberg.
Kryeministrin Zoran Zaev, nga ana e tij, theksoi se ftesa ndikon për kohezion të brendshëm dhe Maqedoninë e promovon si shembull të Ballkanit Perëndimor për udhëheqje të fuqishme.
Theksoi se Qeveria përgatit plan për implementimin e reformave në pajtim me programin e NATO-s me theks të veçantë të qeverisjes së të drejtës.
NATO-ja dhe BE-ja janë përcaktim strategjik i Maqedonia dhe nga kjo nuk ka tërheqje, tha Zaev.
“Referendumi më 30 shtator do të jetë një sfidë edhe më e rëndësishme. Tani jemi në një udhëkryq historik për ardhmërinë tonë[ dhe jam i bindur se qytetarët do t’i njohin perspektivat për vendin tonë”, deklaroi Zaev.
Theksoi se është i bindur se referendumi do të jetë i suksesshëm dhe se do të arrihet censusi i nevojshëm.
“Siç po afrohet 30 shtatori, dita historike për Maqedoninë, gjithnjë e më shumë nuk kam arsye për të menduar ‘çka nëse’. Nuk ka ‘ka nëse’. Unë jam i bindur se referendumi do të ketë sukses, sepse një shumicë e madhe do të votojë ‘për’ dhe se censusi do të tejkalohet dukshëm dhe për këtë më nuk kam dilemë”, tha Zaev.
Edhe njëherë u bëri thirrje të gjithëve në Maqedoni të qëndrojnë së bashku për realizimin e interesave strategjike të vendit.