Stoltenberg paralajmëron Rusinë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, kërkoi nga Moska që të mos vazhdojë me grumbullimin e trupave të saj në kufi me Ukrainën, ndërsa për këtë të fundit shprehu mbështetjen “e palëkundur” të aleancës.

Në një konferencë për media me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba, Stoltenberg tha se NATO “i qëndron krah Ukrainës”. Sipas tij, veprimet ruse janë “të pajustifikueshme, të pashpjegueshme dhe thellësisht shqetësuese”.

Komentet vijnë pas shkeljeve në rritje të armëpushimit në lindje të Ukrainës, ku forcat qeveritare ukrainase luftojnë separatisët pro-rusë, qysh në vitin 2014, raporton TCh.

Marketing

Më 2014, Rusia ka aneksuar në mënyrë të paligjshme edhe Gadishullin ukrainas të Krimesë.

“Rusia ka vendosur mijëra trupa luftarake në kufijtë e Ukrainës. Është grumbullimi më i madh i tyre që nga aneksimi i paligjshëm i Krimesë, në vitin 2014. Gjatë ditëve të fundit, disa ushtarë ukrainas janë vrarë në lindje të Ukrainës”, Stoltenberg.

Kuleba u shfaq sfidues ndaj Moskës, duke thënë se Ukraina dhe partnerët e saj perëndimorë janë më të përgatitur sesa 7 vjet më parë. “Nëse Moska ndërmerr ndonjë veprim të pamatur ose fillon dhunë të re, një gjë e tillë do të jetë e kushtueshme në çdo kuptim”, tha Kuleba. Të mërkurën në Bruksel do të arrijë edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i cili bashkë me Stoltenbergun do të vlerësojnë grumbullimin e trupave ruse në kufi me Ukrainën. “Rusia duhet t’i japë fund këtij grumbullimi ushtarak në dhe përreth Ukrainës dhe t’i ndalojë provokimet e saj”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s.