Stoltenberg: Rusia përpiqet të ndërhyjë te vendet e Ballkanit

NATO-ja reagoi për shkak se sipas tyre Rusia ka bërë përpjekje të ndërhyjë dhe të ndikojë te vendet e Ballkanit që duan t’i bashkohen aleancës ushtarake të mbrojtjes.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i bëri këto komente në një intervistë ekskluzive për Euronews-in në Bruksel.

Marketing

Ai foli në ditën kur Republika e Maqedonisë së Veriut nënshkroi një pakt që do t’i hapë rrugë këtij vendi për anëtarësim në NATO.

“Rusia përpiqet të ndërhyjë, Rusia përpiqet të ndërhyjë në proceset politike në shtetet sovrane. Mendoj se një gjë e tillë është gabim”, tha Stoltenberg.

I pari i Aleancës Veriatlantike shtoi se “NATO i respekton, ne i respektojmë vendimet e shteteve të pavarura sovrane, pavarësisht nëse duan të hyjnë në NATO ose nëse nuk duan të hyjnë në NATO”, shtoi ai.

Ndër të tjera “Në Shkup kemi parë se shumica në parlament, shumica e partive politike e duan anëtarësimin në NATO. Ne e mirëpresim këtë. Por në Serbi, për shembull, e kanë thënë qartë se nuk duan të hyjnë në NATO dhe ne e respektojmë këtë. Andaj, Rusia duhet t’i respektojë vendimet e marra nga kombet sovrane, edhe nëse duan të anëtarësohen në NATO, edhe nëse nuk duan”, tha shefi i NATO-s.

Stoltenberg foli edhe për largimin e Uashingtonit dhe të Moskës nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme, shkruan radioevropaelirë.
Pakti, i cili, sipas SHBA-së, është shkelur nga Rusia, i ka ndaluar dy vendet të përdorin raketa me rreze të shkurtër dhe të mesme.