Në aneksin dhe stadiumin “Skënderbeu” të Korçës, ku katër skuadra shqiptare janë përballur mes tyre për trofeun… kuqezi. Fusha e blertë ka zbuluar edhe verdiktet, teksa ekipi i Strugës ka fituar edicionin e 10-të të kësaj Kupe simbolike.
Në ndeshjen e parë gjysmëfinale u përballën Otrant dhe 2 Korriku. Pati shumë luftë sportive, por mungoi goli. Nga pika e bardhë triumfoi Otrant, 6-5. Në ndeshjen e dytë gjysmëfinale, Struga ka mundur 1-0 Skënderbeun. Ekipi shqiptar nga Maqedonia siguroi në këtë mënyrë finalen e madhe, që e luajti përballë Otrantit të Ulqinit.
Ajo përfundoi me rezultatin 1-0 në favor të struganëve, që bëhen në këtë mënyrë fitues të “Kupës Pavarësia 2018”. Ekipi “Fair Play” u vlerësua 2 Korriku, ndërsa çmimi i lojtarit më të mirë të turneut shkoi për Nijaz Lenën e Strugës, futbollist që ka luajtur edhe në Shqipëri, me Flamurtarin, Teutën dhe Kukësin.