Janë regjistruar 4 raste të reja me të infektuar nga Covid 19 në Strugë. Numri i përgjithshëm i të infektuarve në qytet dhe rrethinë ka arritur në 47, përfshirë edhe 8 viktimat.
Ndër të prekurit me virus është edhe një infermiere, e cila momentalisht ndodhet në klinikë , në gjendje stabile dhe pasi t’i bëhen testime të tjera, do të lëshohet në shtëpi.
Në spitalin e Strugës së shpejti pritet të hapet edhe pika për testim, ku qytetarët do të mund të testohen. Masat për parandalimin e përhapjes së virusit janë marrë dhe shumica e qytetarëve i respektojnë ato.
Edhe gjatë orës policore, qytetarët janë treguar të ndërgjegjshëm dhe e kanë respektuar ndalesën për lëvizje të lirë i cili vlen për të gjithë vendin. Nga komuna e Strugës kanë lajmëruar se aksioni për larje dhe dezinfektim nuk është ndaluar dhe vazhdon si nëpër qytet ashtu edhe nëpër fshatra.
Nga zyra për marrëdhënie me publikun të komunës së Strugës gjithashtu kanë lajmëruar se të gjithë operatorët ekonomik siç janë marketet dhe restorantet, do të mund të bëjnë lëvizje për dërgesa edhe gjatë orës policore në fundjavë, ndërsa duhet të bëjnë kërkesë në komunë, më së voni deri ditën e nesërme.
Personat me aftësi të kufizuara, për të cilët vlen lëvizja e lirë në orare të caktuara, nuk kanë nevojë të marrin leje, por të kenë me vete dokument ose vërtetim për gjendjen e tyre.
Nga shtabi i krizës së komunës së Strugës nuk mungojnë edhe apelet e vazhdueshme për të gjithë qytetarët që sa më pak të dalin në qytet dhe të ruajnë distancën sociale, me qëllim që sa më shpejtë të dalim nga kjo situatë.