Strugë, asnjë aktivitet për prishjen e ndërtimeve

Përderisa Ohri është duke u përgatitur për shembjen e objekteve ilegale, komuna e Strugës hesht dhe nuk e shpalos në opinion numrin e objekteve ilegale në territorin e saj. Alsat para disa ditëve dërgoi pyetje pranë Sektorit për marrëdhënie me publikun në komunën e Strugës, por deri në këtë moment nuk ka arritur asnjë përgjigje.

Marketing

Sa objekte ilegale ka vërtetuar monitorimi i inspektimit në territorin e komunës Strugë dhe sa prej tyre janë në rripin mbrojtës të liqenit të Ohrit?

A ka dorëzuar komuna Strugë vendime për largimin e platformave, të ndërtuara në liqenin e Ohrit dhe në objektet ilegale në Strugë dhe kur kjo pritet të realizohet?

Përgjigje zyrtare nuk ka arritur, por Alsat jozyrtarisht mëson se numri i përgjithshëm i kërkesave të dorëzuara për legalizimin e objekteve ilegale në komunën e Strugës nga viti 2011 deri më sot është 10.600. Vetëm në vitin 2018, janë dorëzuar rreth 2000 kërkesa të këtilla, por procedura për legalizimin e tyre është stopuar për shkak të moratoriumit të miratuar për ndërtim dhe legalizim. Sipas burimeve të Alsat, edhe në Strugë tashmë janë dërguar vendime për hotelierët për largimin e platformave ilegale përreth liqenit. Kryetari Ramiz Merko, para pak kohe për Alsat pohonte se në Strugë nuk ka ndërtime ilegale.

Një pjesë e ambientalistëve dyshojnë se në Strugë nuk ka ndërtime të paligjshme.

“Liqeni i Ohrit shihet si monument i natyrës, kështu që problemi i ndërtimeve të paligjshme në Strugë nuk është aspak më ndryshe nga ai në pjesën e Ohrit”, theksoi Gjoko Zoroski, Lëvizja e ambientalistëve të Maqedonisë.

Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve për Alsat, thonë se rrënimi i ndërtimeve të paligjshme është nën kompetencën e komunave, por informata se diçka po bëhet në këtë drejtim kanë vetëm nga komuna e Ohrit.

“Sipas informatave me të cilat disponojmë, komuna e Ohrit tashmë ka përgatitur plan aksionar për rrënimin e ndërtimeve të paligjshme. Ministria e Transportit dhe Lidhjeve u qëndron në dispozicion nëse duhet ndihmë gjatë zbatimit të procedurës”, u shprehën nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

Me planin aksionar të Këshillit të komunës, komuna e Strugës ka afat deri më tetor të këtij viti të bëjë regjistrim të hollësishëm të ndërtimeve të paligjshme.

Alsat