Një qytetar i Strugës ka ndërruar jetë në Klinikën Infektive në Shkup si pasojë e Covid-19.Bëhet fjalë për një burrë 50 vjeçar, i cili kishte rezultuar pozitiv me virusin Korona dhe më 27 mars ishte dërguar në Klinikën Infektive në Shkup, ku një ditë më pas, për shkak se i është përkeqësuar situata, është vendosur në respirator.
Ndërkohë është regjistruar edhe një rast i ri me të prekur nga virusi dhe është rënduar bilanci i të infektuarve i cili ka arritur në 48, përfshirë edhe 9 viktimat.
Qytetarët të cilët kanë pasur kontakte me të prekurit janë në izolim shtëpiak, ndërsa janë testuar edhe qytetarë të tjerë.
Edhe pse numri i të infektuarve është rritur, një pjesë e qytetarëve nuk respektojnë rekomandimet e qeverisë.
Këtë të enjte qyteti ishte pothuajse sikurse ditët e zakonshme, janë vërejtur turma njerëzish, sidomos në markete. Ndërsa pas orës 16, kur ka filluar ora policore, qyteti ka qenë në heshtje.
Nga autoritetet lokale bëjnë thirrje të vazhdueshme drejt të gjithë qytetarëve që të respektojnë masat, të shmangin grumbullimet dhe të mbajnë distancën sociale.