Strugë, nuk ka raste të reja me të prekur nga “Covid 19”

Nuk janë regjistruar raste të reja me të prekur nga virusi Covid 19 në Strugë. Numri i përgjithshëm i të infektuarve është 43, përfshirë edhe 6 viktimat.

Marketing

Ndër të infektuarit që rezultuan pozitiv disa ditë më parë, është edhe një infermiere, e cila momentalisht ndodhet në klinikën në Manastir, në gjendje stabile dhe së shpejti do të lëshohet për izolim shëpiak. Janë bërë edhe testime të qytetarëve të tjerë, ndër to edhe dy infermierë.

Qytetarët: Masat duhen respektuar, duhet disiplinë

Qytetarët respektojnë orën policore dhe e shohin të arsyeshme ndalesën e lëvizjes së lirë prej 24 orësh gjatë fundjavës, për shkak në atë mënyrë do të mund të shmanget rritja e numrit të të infektuarve.

“Ne nuk mund të përcaktojmë a është vendim i mirë apo jo, atë e përcaktojnë institucionet. Detyra jonë është ti respketojmë ato që ata na caktojnë. Tash situata nuk është e mirë aspak se edhe biznesi është bllokuar totalisht”.

“Vendimi është shum i mirë, edhe më tepër të ketë shtrëngim, mbasi që un jam biznismen kam dyqan për këpucë, dhe një muaj e gjysëm nuk punoj dhe nuk kam dal jasht, mund tkem dalë vetëm një orë për ndonjë rast nevoje, se ka virusi, edhe pse dikush mundon që ska, ka. Dhe duhet të ruhemi dhe duhet të ketë masa rigoroze, është për të mirën tonë”.

“Masa që janë marrë un mendoj që janë të pakta, se ne nuk jemi aq shumë të disiplinuar me thirrjet që bëhen publike. Dhe masat gjatë vikendit edhe pse janë të lodhshme qoftë nga aspekti psikologjik, fizik dhe aspekti u humbjes ekonomike. Por është gjendje e jashtëzakonshme prandaj edhe masat janë të arsyeshme. Duhet të rrimë në shtëpi të mbrojmë veten, kshtu që mund ti shpëtojmë edhe të tjerët për masat që mund ti marrim për veten i mbrojmë edhe të tjerët”.

“Nuk është mirë se edhe nuk funksionon asgjë, as shitoret as asgjë është humbje e madhe për personat dhe për tregtinë” – thanë disa nga qytetarët e intervistuar nga TVM2.

Duke qenë se kishte izolim për dy ditë rradhazi, këtë të hënë rrugët e Strugës kanë qenë plotë. Janë vërejtur turma njerëzish, sidomos në markete. Ndërsa me fillimin e orës policore, rrugët ishin bosh, teksa policia bënte punën e vet.

Nga autoritetet lokale vazhdojnë thirrjet deri tek të gjithë qytetarët që të respektojnë masat, t’ju shmangen turmave dhe të mbajnë distancën e rekomanduar sociale.