Strumicë, mbyllet klubi i natës që organizoi ahengje gjatë pandmeisë

Klubi i natës “Avatar” nga Strumica sot në mëngjes është mbyllur nga ana e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, informon drejtori i Inspektoratit Stojko Paunovski.

Marketing

Inspektorët të premten në mbrëmje kanë kryer kontroll në këtë klub dhe përgatitën procesverbal, ndërsa për dje paralajmëruan edhe padi penale deri te prokuroria publike për shkak të mosrespektimit të dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë së Kovid-19.

“Inspektorët ishin atje të premten në mbrëmje, është përgatitur procesverbal dhe do të ngritet padi penale për shkak të asaj që asnjë klub nate për momentin nuk guxon të punojë”, ka informuar Paunovski të dielën.

Nga menaxhmenti i “Avatar” të dielën potencuan se punojnë si kafe bar dhe në hapësirë të hapur dhe se i kanë respektuar të gjitha dispozitat dhe protokollet.

“Duam t’i përgënjeshtrojmë informatat në të cilat thuhet se jemi klub nate. Nuk bëhet fjalë për klub nate por për kafe bar. Objekti është në vend të hapur dhe punon sipas të gjitha dispozitave ligjore. Tavolinat janë në distancë përkatëse, në të cilat ka mjete për dezinfektim, të punësuarit gjatë gjithë kohës mbajnë maska mbrojtëse. Ne nuk kemi kompetencë të kërkojmë nga mysafirët të mbajnë mbrojtje personale, ata vetëm përgjigjen për veten e tyre. Punojmë në mënyrë të njëjtë sikur edhe të gjitha objektet tjera në qytet. Nuk jemi të vetmit, pothuajse në çdo lokal të dytë në qytet, i cili është disa herë më i vogël se lokali ynë, ka festa të ngjashme, por për atë askush nuk reagon dhe nuk shpërndan fotografi dhe video në rrjetet sociale. Askush nuk reagon as për përzierjet që bëhen në sipërfaqet publike ku duhet të jetë hapësirë për lëvizje të qytetarëve, kanë vendosur tavolina, ndërsa distancë të nevojshme aspak nuk ka”, deklaruan nga “Avatar”.

Marketing