Studentë kosovarë kërkojnë kthimin nga Universiteti i Tetovës në atë të Prishtinës

91 studentë kosovarë nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetin e Tetovës me një letër publike kanë kërkuar kthim në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë.
Ata i janë drejtuar institucioneve të Kosovës që të mos e politizojnë rastin e tyre.

Marketing

Letra e plotë e 91 studentëve:
Të nisesh rrugën për t’u formuar si mjek është një prej vendimeve më të vështira, më të mëdha të secilit prej nesh. Të nisesh këtë rrugë larg vendlindjes është çështje që i shton vështirësitë për disa herë. Të ballafaquar me vështirësi financiare, ne 91 studentët e Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin e Tetovës, kohë më parë iu drejtuam kryeministrit Haradinaj për ndihmë për t’u transferuar në Universitetin e Prishtinës.

Si rreze drite, na erdhi përgjigja pozitive e Kryeministrit të Republikës së Kosovës i cili u zotua se Kryeministria që ai drejton do t’i heq shpenzimet e transferit. Këtij lajmi iu gëzuam ne edhe familjet tona të cilat po shpenzojnë mjete të mëdha për të na shkolluar, në këto rrethana të varfërisë. Kur morën vesh se Kryeministria ishte e gatshme t’i mbulonte shpenzimet e transferit konsideruam se me këtë hap, jo vetëm që përfitonim ne studentët nga Kosova, por ky veprim ishte edhe ndihmë për Fakultetin e Mjekësisë të UP-së.

Një përgjigje pozitive ne e prisnim edhe ne nga Senati i UP-së, por çuditërisht kërkesës sonë i ndërrohet kahja, nga një OJQ dhe nga disa media. Ne në pamundësi për t’i përballuar shpenzimet e shkollimit po kërkojmë të transferohemi nga UT-ja në UP, për shkak se familje tona nuk po mund t’i përballojnë shpenzimet.

Kjo është arsyeja dhe siç u spekulua. Mu për këtë, ne ndihemi të ofenduar për faktin se kërkesa jonë po banalizohet nga mediat dhe po fokusohet ne individ dhe jo te thelbi i kërkesës. Ne mesin tonë mund të ishte edhe djali i kryetarit të shtetit , i ndonjë ministri apo i vet rektorit, por kjo nuk paraqet arsye që të zhvendoset vëmendja nga kërkesa jonë për transfer, tek individët apo te gjerat e pa bazuara.

Bazuar në këtë që themi, apelojmë te Kryeministria, Rektorati e Senati i UP-së që ta përkrahin transferin tonë dhe të mos bien pre e komenteve provokuese nga persona që nuk janë kompetent, kushdo qofshim ata .

Marketing