Studentë të Fakultetit të Shkencave Informatike dhe Inxhinierisë Kompjuterike në Shkup, nga sot do të ndihmojnë Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës në avancimin e funskionimit digjital dhe përshpejtimin e procesit të digjitalizimit të arsimit.
Nën mentorimin e profesorëve të tyre, ata do të ofrojnë mbështetje për mirëmbajtjen e vazhdueshme të disa prej sistemeve të informacionit dhe platformave digjitale me të cilat disponon Ministria dhe do të marrin pjesë në krijimin dhe zbatimin e zgjidhjeve të reja teknike-teknologjike dhe shërbimeve digjitale në procesin edukativo- arsimor.
Kjo është rregulluar me Memorandum bashkëpunimi që sot e firmoson ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Prof. Dr.Vesna Janevska dhe dekani i FSHIIK Prof. Dr. Boro Jakimovski, ndërsa, siç informuan varësish nevojave dhe mundësive të të dyja palëve, në të ardhmen do të mund të avancohet edhe më tej.
„Sipas marrëveshjes, fakulteti në mënyrë plotësuese do të organizojë dhe realizojë aktivitete edukative në formë të trajnimeve, punëtorive dhe seminareve për ngritjen profesionale të punonjësve në Ministri. Nga ana tjetër, Ministria do të mbështesë avancimin praktik për studentët e këtij fakulteti. Janë paraparë edhe hulumtime dhe analiza të përbashkëta profesionale dhe shkencore, si dhe organizimi i hakatoneve dhe garave për të rinjtë në fushën e informatikës dhe komunikimit”, theksoi Janevska.
Ministrja shprehu kënaqësinë se ishte e lehtë të arrihej pëlqim se ku dhe si do të bashkëpunonin të dyja palët, e cila do të rrisë ndjeshëm efikasitetin dhe efektivitetin e punës së Ministrisë dhe fakultetit, ndërsa në interesin e qytetarëve. Ajo theksoi se Ministria e Arsimit dhe Shkencës tregon gatishmëri, ndërsa FSHIIK tregon përgjegjësi të lartë sociale.
„ Ndjej obligim t’ju bëj thirrje institucioneve të tjera publike dhe institucioneve të arsimit të lartë që të iniciojnë këtë lloj bashkëpunimi. T’u japim të rinjve mundësinë që të dëshmojnë veten dhe praktikisht të avancohen derisa janë ende duke studiuar, dhe në këtë mënyrë të thjeshtojmë hyrjen e tyre në tregun e punës pas diplomimit”, shtoi Janevska.
Dekani i FSHIIK nga ana tjetër, theksoi se institucioni arsimor deri më tani ka ndihmuar Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, por që tani e tutje në aktivitete do të përfshihen edhe studentët, për të cilët, siç theksoi është i bindur se kanë potencial jo vetëm të njohin, por edhe të krijojnë zgjidhje për sfidat komplekse në sferën e TI-së.