Më 5 dhjetor 2019 një grup i studentëve të Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës, nën udhëheqjen e Prof. Dr. Arta Bilalli – Zendelit, Prof. Dr. Afet Mamutit, Doc. Dr. Shpresa Halimit dhe Prof. Dr. Qebir Avziut, morën pjesë në garat vjetore që u mbajtën në Fakultetin Juridik të Universitetit të Shtipit. Këto gara u mbështetën nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, ku studentët simulojnë një rast real që ka ndodhur në praktikën gjyqësore penale.
Profesoresha Arta Bilalli – Zendeli u shpreh mjaft e kënaqur me paraqitjen e studentëve të Universitetit tonë në këto gara, pasi që në këto gara vijnë në shprehje njohuritë e studentëve nga e drejta e procedurës penale dhe synojnë aftësimin e të rinjve për të ushtruar funksionet themelore të procedurës, si: gjykatësin, prokurorin publik dhe avokatin.
“Ne këtë vit kemi simuluar një rast vrasjeje, që trajtohet sipas nenit 123 paragrafi 1, pika 1 të Kodit penal të RMV. Në këto gara morëm pjesë me gjithsej 12 studentë, të cilët i kemi ndihmuar jashtëzakonisht shumë gjatë përgatitjes së tyre. Në garat “Ditët e gjykimit të simuluar”, studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës, fituan 3 çmimet e para individuale nga gjithsej 6 dhe vendin e dytë në një garë ndërmjet 4 Fakulteteve Juridike të Universiteteve Shtetërore te Maqedonisë së Veriut.
Studentja Mevlude Emini u zgjodh gjykatësja më e mirë, studentja Antonija Serafimovska prokurorja më e mirë dhe studenti Arijan Bajrami, si i pandehuri më i mirë. Ndërsa tre çmimet e tjera u ndanë për Universitetin e Shkupit (eksperti më i mirë), Universitetin e Manastirit (dëshmitari më i mirë) dhe Universitetin e Shtipit (avokati më i mirë), tha Prof. Dr. Arta Bilalli – Zendeli. Vlerësues të seancave të studentëve ishin: Prokurorja Fatime Fetai, gjykatësi Betim Jahja nga Gjykata Themelore – Tetovë dhe avokatja Suzana Joshevska nga Shkupi. Edhe vite më parë në këto gara studentët e Fakultetit Juridik të Universitetit tonë kanë arritur të fitojnë disa çmime, si në vitin 2017 fituar çmimin e parë, kurse në vitin 2018 çmimin e dytë.