Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se pas përfundimit të studimeve në Fakultetin e Mjekësisë, studentët do të fitojnë mundësinë për punën praktike në Shtëpitë shëndetësore në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Kjo siç thonë nga MSH, është risia e fundit e disa nga ndryshimet për standard më të lartë dhe kushte më të mira për punonjësit shëndetësor në vend.
“Siç paralajmëruam para disa ditësh, arritëm të krijojmë model ku secili student do të ketë mundësi për mësim praktik në institucionet shëndetësore. Kjo është një nga hapat e shumtë që i ndërmerr Ministria e Shëndetësisë në përmirësimin e kushteve të kuadrit mjekësor”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe pas takimit me tre Shoqata të mjekëve specializantë.
Nga Ministria informojnë se përfaqësues të Shoqatave kanë mbështetur propozimet e ministrit dhe janë pajtuar të jenë pjesë e procesit me të cilin do të realizohet propozimi të gjithë mjekët pasi të marrin licencë, menjëherë t’u jepet mundësia gjashtë muaj të fitojnë punë të paguar praktike në Ndihmën e shpejtë, në pikët vaksinale dhe Shërbimet patronazhe polivalente.
Ministria e Shëndetësisë nga janari e ka rritur edhe pagën bazë të punonjësve shëndetësor dhe personelit ndihmës teknik në shëndetësi. Rritja sillet prej pesë deri në 10 për qind, për motrat medicinale të klinikave – tetë për qind, ndërsa te motrat tjera medicinale do të ketë rritje prej pesë për qind. Të gjithë punonjësit e tjerë shëndetësor do të kenë rritje prej pesë për qind. Për administratën në shëndetësi është paraparë rritje e pagës bazë prej pesë për qind nga shtatori i këtij viti.
Si mënyrë shtesë e masave për përmirësimin e gjendjes, Ministria e Shëndetësisë vitin e kaluar për herë të parë ka siguruar edhe mjete për punën e specializantëve. Ata tani marrin pagë për punën e tyre në lartësi prej pagës mesatare të mjekut të përgjithshëm, qëndron në komunikatë.