Parlamenti Studentor i Universitetit të Tetovës, së bashku me përfaqësues të Grupit Internacional të të rinjve për paqë (International Peace Youth Group) nga Koreja Jugore dhe studentët nga të gjitha njësitë akademike të Universitetit tonë organizuan një event paqeje.
Kryetari i Parlamentit Studentor të Universitetit të Tetovës, Islam Imeri u shpreh se ky manifestim ka për qëllim nxitjen e të rinjve për promovimin e paqes dhe përmes letrave të shkruara për paqe, të përcillen mesazhe të ndryshme për ruajtjen e paqes në të gjitha anët e globit.
“Sot të gjithë ne, bashkërisht shkruam nga një letër të shkurtër me mesazhe paqeje, duke kontribuar të gjithë së bashku për mbrojtjen e paqes, si vlerë më të rëndësishmes për jetët tona. Ne, si shqiptarë, historikisht jemi shquar si popull paqedashës, jo më kot, çmimin nobel për paqe para disa vitesh e ka fituar njëra ndër figurat më të mëdha që na bën nder neve si komb, Shën Tereza, e cila thotë: “Paqja fillon me buzëqeshje”, e si të mos e duam, ta rruajmë e të kujdesemi edhe ne për paqen”, theksoi Islam Imeri.
Përfaqësuesja e Grupit Internacional të të rinjve për paqë, Minwoo Gill, tha se kjo organizatë këtë vit po punon intensivisht në projektin e quajtur “Letra e Paqes”. Sipas saj, të rinjtë nga e gjithë bota u shkruajnë letra paqeje presidentëve të tyre, për t’u kërkuar atyre që të bien dakord për miratimin e Deklaratës së Paqes dhe Ndalimin e Luftës dhe ne i pranojmë ato nga organizatat rinore dhe anëtarët e tyre nga të gjitha vendet e botës.
“Jemi këtu sot, në Universitetin e Tetovës bashkë me studentët, për t’i bërë bashkë zemrat e të rinjve në Maqedoni dhe ne do të dëshironim t’ua dorëzojmë letrat e shkruara për paqe nga studentët presidentit tuaj, për ta treguar zemrën dhe mbështetjen tuaj për paqen. Ju faleminderit që iu bashkuat ngjarjes së Letrave të Paqes sot dhe shpresoj se mund të bëjmë një hap përpara drejt paqes botërore”, u shpreh znj. Minwoo Gill.
Aktiviteti i sotëm u ndoq nga një numër i madh i studentëve dhe u përmbyll me leximin e disa letrave me mesazhe paqeje.