Studentët e Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, të programit studimor të Arkitekturës, morën pjesë në konkursin ndërkombëtar me studentët e arkitekturës “Riciklo Kreativ”, të organizuar nga Fakulteti i Arkitekturës dhe Urbanistikës (FAU) i Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT).
Fituesit u shpallën me 13.10.2023, ku studentët tanë, Fortuna Ismaili, Venera Ziba dhe Fjolla Halili me projektin “Ecolamp” – Llambë nga materialet e riciklueshme, e fituan vendin e parë. Ky punim prezanton ndriçimin e jashtëm duke shfrytëzuar potencialin e materialeve të ricikluara. Ndërkaq llamba sjellë një qasje të re për reduktimin e mbeturinave duke shtuar bukurinë në hapësirat e jashtme. Tubat PVC i kanë transformuar në pjesë funksionale të artit, duke u dhënë jetë të re këtyre burimeve të hedhura më parë.
Ndërsa studentët Albin Haliti dhe Hamza Sejfullahi, me projektin “Botlamp” – Llambë nga materialet e riciklueshme, morën çmimin e dytë. Ky punim inovativ përdor materiale të riciklueshme dhe pjesë të ricikluara të makinave për të krijuar një robot skeletor, që ndryshon funksionin e tij për të shërbyer si një llambë e jashtëzakonshme. Ky projekt përmbledh artin e dizajnit dhe përkujdesjen për mjedisin.
Përdorimi i materialeve të ricikluara dhe pjesëve të ricikluara të makinave kontribuon në uljen e ndikimit të ndotjes dhe rritjen e ndërgjegjësimit për ruajtjen e planetit tonë.
Dekani i Fakultetit të Shkencave të Zbatuara, Prof. Dr. Enis Jakupi i uroi studentët për çmimet dhe i falënderoi që e përfaqësuan me dinjitet Fakultetin e Shkencave të Zbatuara – programi studimor të Arkitekturës. Këtë arritje e përshëndeti edhe dekani i FAU – UP, Tiranë, Armando Vokshi, i cili e uroi dekanin dhe Fakultetin e Shkencave të Zbatuara të UT-së për studentët e aftë që kanë nxjerrë, pasi të fitosh vendin e parë dhe të dytë është një sukses i madh.