Pavarësisht shfuqizimit të VKM për tarifën e provimeve të mbartura, studentët në Shqipëri kanë vendosur të mos tërhiqen nga protestat e tyre deri në plotësimin e të gjitha kërkesave të tjera.
Studentët shqiptarë kanë bojkotuar edhe sot mësimin, ndërsa nga të gjitha fakultetet e Tiranës, do të mblidhen tek Ministria e Arsimit. Studenteve të Tiranës, pritet t’u bashkohen edhe studentët nga Universitetet e Elbasanit, Durrësit, Korçës, Shkodrës dhe Vlorës.
Ndërkohë studentët pasi e nisën marshimin nga kryqëzimi i ’21 Dhjetorit’, ata u ndalën tek ‘Zogu i Zi’, ku u ulën në gjunjë. Me ta u solidarizuan edhe qytetarë të thjeshtë, ndërsa më pas vijuan ecjen përgjatë Rrugës së Durrësit. Ndërsa studentët e fakultetit të Mjekësisë kanë nisur marshimin nga Rruga e Dibrës, për t’u takuar me bashkëmoshatarët e tyre tek vendi i betejës, te Ministria e Arsimit. “Eja mblidhuni këtu, këtu”, “Ulni tarifat”, “Shqipëria është e jona”, “Jo politikë” këto janë disa nga thirrjet që të rinjtë lëshojnë në kor. Protesta vazhdon.