Më datë 21 – 23 qershor u mbajt edicioni i 19-të i Garave Ndërkombëtare të Muzicientëve të Rinj ArsKosova 2024, të organizuara në Kosovë (Prishtinë), nga Fondacioni ArsKosova. Kjo garë realizohet për kategori dhe disiplina të ndryshme muzikore, duke ofruar një platformë të jashtëzakonshme për artistët e rinj që t’i shfaqin aftësitë e tyre muzikore.
Në këtë garë, konkurroi studentja e Fakultetit të Arteve – Art Muzikor, Zulejhan Saiti, e përgatitur nga profesoresha e solfezhit, Teuta Alimi Selmani, e cila fitoi çmimin e parë në disiplinën Solfezh, kategoria VI – kategoria e studentëve.
Profesoresha dhe studentja janë përgatitur intensivisht për programin e kërkuar të
disiplinës së solfezhit (kategoria VI), duke punuar me përkushtim dhe pasion, për të
përmbushur detyrat dhe ushtrimet e kërkuara sipas programit.
Të gjithë garuesit u vlerësuan nga juria profesionale dhe ndërkombëtare, e përbërë nga 25 profesorë të shquar nga shtete të ndryshme. Kjo juri përbëhet nga ekspertë të njohur në fushën e muzikës të cilët vlerësuan për disiplina të caktuara, varësisht profileve të tyre muzikore.
Vlen të përmendet se profesoresha Teuta ishte gjithashtu e ftuar të jetë anëtare e jurisë së këtij edicioni.
Ky sukses shërben si një motivim dhe inspirim për të gjithë studentët e tjerë, duke i inkurajuar ata të punojnë me përkushtim dhe pasion në rrugën e tyre muzikore.