Duke përdorur inteligjencën artificiale, një studim i bërë nga një universitet në Singapor ka llogaritur kohën se kur mund të marrë fund koronavirusi në vendet e prekura në botë. Mes vendeve që janë analizuar nga studimi i kryer nga Universitetit të Teknologjisë dhe Dizajnit të Singaporit është edhe Shqipëria.
Sipas të dhënave të publikuara, Shqipëria mund të ketë zero raste të reja me virusin korona rreth datës 2 gusht.
Ndërsa, në të gjithë botën, sipas të dhënave të llogaritura me anë të inteligjencës artificiale, epidemia e koronavirusit mund të marrë fund plotësisht më 2 dhjetor të këtij viti.
Më shpejt nga vendet e rajonit, pandemia mund të përfundojë në Maqedoninë e Veriut, ku epidemia mendohet se mund të shuhet më 22 maj, shumë më shpejt se vendet e tjera të rajonit.
Kurse, në Itali, pritet që epidemia të zhduket 100 % rreth datës 10 tetor. Ndërsa, në Shtetet e Bashkuara që janë edhe vendi më i prekur në botë nga virusi, pritet që të raportohen zero raste të reja në shtator të këtij viti.
Gjithsesi, bashkë me publikimin e grafikëve, Universiteti thekson se parashikimi bëhet vetëm për arsye studimi, ndërsa paralajmëron se gjendja mund të ndryshojë.