50% e pacientëve që u infektuan me koronavirus dhe u shtruan në spitalet e Mbretërisë së Bashkuar shfaqën të paktën një komplikacion. Të dhënat dalin nga një studim i realizuar nga 7 Universitete në Angli në bashkëpunim me Autoritetin e Shëndetit Publik.
Studimi zbuloi se edhe të rinjtë të shëndetshëm shfaqën komplikacione, sikundër pacientët mbi moshën 50 vjeç. Sipas gjetjeve, 4 në dhjetë pacientë, të moshës 19 deri në 39 vjeç, patën probleme me veshkat, mushkëritë, zemrën, ose organet e tjera, dhe u kërkuan trajtime për to.
Udhëheqësi i studimit tha se kjo vërteton se korona nuk është vetëm një sëmundje e të moshuarve dhe e atyre që janë më të dobët. Edhe të rinjtë që vijnë në spital me komplikime të mëdha, kërkojnë trajtim dhe monitorim të mëtejshëm edhe në të ardhmen.
Për studimin u monitoruan rreth 73,000 të rritur të të gjitha moshave në 302 spitale të Mbretërisë së Bashkuar, gjatë valës së parë të koronavirusit në vitin 2020. 56% e tyre ishin burra dhe me një gjendje të qëndrueshme shëndetësore.