Studimi/ Koronavirusi vdekjeprurës ka tre variante, dokumentohet mutacioni

Sipas një raporti nga gjenetistët britanikë dhe gjermanë ekzistojne tre variante të virusit: Llojet A, B dhe C. Të gjitha rrjedhin nga një patogjen i gjetur tek lakuriqët e natës dhe kanë evoluar në mënyra të ndryshme. Gjetjet tregojnë se virusi është përshtatur mirë me transmetimin tek njeriu dhe pëson mutacione ndërsa përhapet, thonë epidemiologët kinezë.

Marketing

Zbulimi se si u formuan variantet dhe më pas u përhapën mund të ndihmojë shkencëtarët të identifikojnë burimin e virusit dhe të shpjegojnë pse është kaq ngjitës.

Studiuesit analizuan 160 gjenomet e plota nga pacientët, nga 24 dhjetori deri në 4 mars, dhe më pas rindërtuan rrugën e Covid-19 te njerëzit, përmes mutacioneve që pësoi.

Tipi A ishte më afër koronavirusit të zbuluar tek lakuriqët dhe megjithëse ky tip u gjet në Wuhan, nuk ishte lloji kryesor.

Tipi A u gjet edhe tek amerikanët që kishin jetuar në Wuhan dhe te pacientët e diagnostikuar në Shtetet e Bashkuara dhe Australi.

Varianti më i përhapur në Wuhan ishte tipi B, tha studimi.

Tipi C është varianti që gjendet më shpesh në Evropë, bazuar në rastet në Francë, Itali, Suedi dhe Angli.

Tipi C nuk ështe zbuluar në asnjë pacient në Kinën kontinentale, megjithëse është gjetur në Singapor, Hong Kong dhe Korenë e Jugut.

Studiuesit arritën në përfundimin se varianti A ishte rrënja e koronavirusit, pasi ishte i lidhur më së afërmi me virusin që gjendet në lakuriqët e natës. Tipi B rrjedh nga A, ndërsa tipi C është “e bija” e variantit B. Virusi i tipit Wuhan-B mund të adaptohet imunologjikisht ose ambientalisht me një pjesë të madhe të popullatës së Azisë Lindore.

Tipi B mund të ketë pësuar mutacion për të përballuar rezistencën jashtë Azisë Lindore.

Studimi gjithashtu dokumentoi se si lëvizja e njerëzve ka ndihmuar përhapjen e virusit.

Për shembull, studimi sugjeroi që një nga prezantimet më të hershme të virusit në Itali – erdhi nga një udhëtar meksikan, i cili u diagnostikua në 28 shkurt. Meksikani u infektua nga një gjerman që punoi në një kompani në Mynih. Gjermani e mori virusin në 27 janar, nga një koleg kinez në Shanghai, i cili kohët e fundit ishte vizituar nga prindërit e tij që jetonin në Wuhan.

Studiuesit kanë dokumentuar 10 mutacione te virusit përgjate udhëtimit të tij viral nga Wuhan në Meksikë, shkruan “South China morning news”.

Ky studim tregon se virusi përshtatet gjithnjë e më shumë me popullsitë e ndryshme dhe për këtë arsye pandemia duhet të merret seriozisht. Njerëzit duhet t’i kushtojnë më shumë vëmendje parandalimit dhe kontrollit të virusit pasi ai mund të bashkëjetojë me njerëzit për një kohë të gjatë./

Marketing