Teksasi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është goditur nga një studi e fuqishme të shtunën. Rrëzimi i një druri mbi një veturë i ka lënë të vdekur dy fëmijë.
Kapiteni i Policisë, Alton Lenderman, tha se fëmijët e moshës 3 dhe 8 vjeçare ishin të ulur në ulëset e pasme të veturës dhe ishin duke udhëtuar me prindërit e tyre kur druri ra mbi veturë rreth orës tre sipas kohës lokale. Ai tha se fëmijët kanë vdekur menjëherë në vendin e ngjarjes.
Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, Teksasi pritet të goditet nga tornadoja me shpejtësi deri 225 kilometra në orë, që do të thotë se stuhia do të kategorizohet si stuhi e nivelit të tretë.
Është raportuar se disa persona janë lënduar në Franklin. Drurët janë nxjerrë me rrënjë nga erërat e forta. Dëme kanë pësuar edhe çatitë e shtëpive, shumë prej të cilave janë hedhur në tokë nga era.
Qytetet Franklin dhe Bremond kanë mbetur pa energji elektrike. Përpos në Teksas, kjo stuhi pritet të shkaktojë dëme edhe në pjesën tjetër juglindore të Shteteve të Bashkuara dhe në Ohio.
Eksperti i meteorologjisë, Chad Myers, tha se ajri i ngrohtë ka ndikuar në prishjen e stabilitetit të atmosferës, duke krijuar kështu kushte për stuhi dhe forcim të intensitetit të tyre. Ai shtoi se ekziston rreziku që kjo stuhi të shkaktojë edhe më shumë dëme materiale dhe ta rrezikojë jetën e njerëzve.
Pritet që stuhia të dielën në mëngjes të arrijë në territoret e Alabamas dhe Georgias, shkruan “CNN”.