Presidenti i SHBA Joe Biden është zotuar t’i japë Floridas çdo mbështetje që i nevojitet për të rindërtuar pas shkatërrimit të stuhisë tropikale Idalia.
Gjatë një vizite në shtet, Biden tha se asnjë person “inteligjent” nuk mund të dyshojë në ndikimin e ndryshimeve klimatike pas stuhisë.
DeSantis, i cili do të bëhet kandidat i partisë së tij Republikane për president, kishte sugjeruar më herët se prania e Biden mund të pengonte përpjekjet për reagim ndaj fatkeqësive.
DeSantis tha se përgatitjet e sigurisë që kërkohen për një takim të tillë do të “mbyllnin përpjekjet e vazhdueshme të rimëkëmbjes”.
“Ai u ul me Fema-n (Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave) dhe vendosi se ku duhet të shkonim, ku do të kishte më pak ndërprerje”, u tha Biden gazetarëve.
DeSantis e kaloi ditën rreth 50 milje (80 km) në jug, duke vizituar komunitetet e vogla përgjatë bregut të Gjirit të Floridës, sipas orarit të tij zyrtar.
Presidenti dhe Zonja e Parë Jill Biden takuan gjithashtu banorët e evakuuar në një shkollë fillore.
Idalia zbarkoi si një uragan i fuqishëm në zonën Big Bend të Floridës të mërkurën dhe është përshkruar nga zyrtarët si stuhia më e keqe që ka goditur rajonin në 100 vjet. Që atëherë, stuhia ka udhëtuar në veri, duke goditur shtetin fqinj të Xhorxhisë dhe Karolinat.
Shtëpitë dhe bizneset janë përmbytur dhe energjia është ndërprerë për qindra mijëra njerëz.
Kreu i Fema, Deanne Criswell u tha gazetarëve të shtunën se operacionet e kërkim-shpëtimit kishin përfunduar dhe zyrtarët po fokusoheshin në rivendosjen e energjisë në rajonet e prekura.
Ajo shtoi se më pak se 1% e banorëve të Floridës ishin pa energji elektrike, megjithëse kjo shifër ishte dukshëm më e lartë në disa zona të prekura drejtpërdrejt nga uragani.