Suarez – Juventus, dështon transferimi për një arsye interesante

Sulmuesi i Barcelonës, Luis Suarez ka hedhur poshtë mundësinë e transferimit në Serinë A për të luajtur së bashku me Ronaldon dhe Dybalan. Arsyeja është pamundësia për t’u pajisur me pasaportë italiane në kohën e duhur.

Marketing

Uruguajani, përmes përfaqësuesve të tij, ka marrë konfirmimin se, edhe nëse do të kalonte provimin e nevojshëm për të marrë nënshtetësinë italiane, nuk do të ishte në gjendje ta merrte pasaportën në kohë për të kaluar tek Juventusi dhe për t’u regjistruar në listën e Championsit brenda datës 6 tetor, që është afati i fundit.

Nga ana tjetër, Suarez dëshiron të luajë në Ligën e Kampionëve, kjo është arsyeja pse ka vendosur t’u thotë “jo” bardhezinjve. Tani 33-vjeçari do të jetë i gatshëm për të pranuar propozime të tjera interesante nga klube të nivelit të lartë (për sa kohë që ata luajnë në garën më të lartë evropiane).

Marrëdhëniet midis uruguaianit dhe Barcelonës mbeten të tensionuara. Klubi praktikisht e ka larguar, ndërsa lojtari kërkon një shumë të majme dëmshpërblim për prishje të kontratës, afërisisht aq sa përfiton në një vit te Barcelona (rreth 15 milionë euro).

Barça, për të lehtësuar dëmin ekonomik, është gati të t’i paguajë një pjesë të pagës Suarezit, vetëm që të largohet nga Blaugranat.

Në këtë pikë, Juventusit nuk i mbetet gjë tjetër veçse të bëjë presion për të blerë Edin Dzekon nga Roma.