Suedia e mbështetë Maqedoninë e Veriut në procesin e aderimit në BE dhe në zbatimin e agjendës së reformave, thotë ambasadorja suedeze në vend, Kristin Forshgren Bengston. Mbështetja para së gjithash është në projekte për përforcimin e institucioneve demokratike, sundimin e së drejtës dhe lirinë e mediumeve, por, theksoi se ky proces kërkon angazhim dhe bashkëpunim edhe nga shteti.
Nëse Evropa nuk është këtu prezentë, zbrazëtirën do e plotësojnë forca tjera. Mundësia për t’u bërë anëtare është shumë e rëndësishme. Procesi duhet të jetë i qartë me kushte të pastra që duhet të përmbushen për anëtarësim, por, gjithashtu, kushtet duhet të vazhdojnë dhe të monitorohen pasi vendi të pranohet si anëtare. Kjo është mënyra mbi të cilën ne ndërtojmë Bashkim Evropian më të fortë – deklaroi Kristin Forshgren Bengston, ambasadore e Suedisë.
Ministrja e punës dhe politikës sociale, Mila Carovska thotë se reformat nuk zbatohen për shkak të disa proceseve globale, por për shkak të shtetit dhe qytetarëve që jetojnë këtu. Qëndrimi i saj është se forca të caktuara vlerësojnë se vlerat evropiane nuk duhet të jenë aq shumë të pranishme dhe prandaj nevojitet konfirmim i tyre i vazhdueshëm.
Ajo që BE e imponon si kërkesë dhe e shkruan në raporte jep nxitje plotësuese dhe mundësi të kontrollojmë deri ku kemi arritur. Edhe çka mungon, cili është hapi tjetër. Ne këtë duhet ta ndjekim. Gjithmonë në mendje duhet të mbetet porosia se gjithë ajo që bëjmë si Qeveri dhe organizata civile dhe si administratë, pasi ato janë çelësi për mbrojtjen e këtyre vlerave, që këtë e bëjmë për veten tonë – u shpreh Mila Carovska, ministre e punës dhe politikës sociale.
Por, për fat të keq arritja deri tek drejtësia në Ballkanin Perëndimorë dhe Turqi është e vështirë, thekson Goran Miletiq nga organizata ndërkombëtare “Mbrojtësit e të drejtave të njeriut”. Ai vlerëson se organizatat joqeveritare dhe mediumet duhet t’i mbulojnë problemet dhe të ofrojnë zgjidhje që në bashkëpunim me qeveritë duhet të ndryshohen. Por, shpesh herë institucionet nuk duan të jenë të kritikuara dhe neve na shohin si armiq, thotë Miletiq.