Suedia merr kryesimin e BE,prioritet lufta në Ukrainë dhe zgjerimi i Ballkanit Perëndimor

Suedia mori nga Çekia kryesimin e Këshillit të Bashkimit Evropian, i cili do të zgjasë deri në fund të muajit qershor. Kryeministri i Suedisë, Ulf Kristersson, duke folur për prioritetet që do t’i ketë vendi i tij në krye të BE-së në gjysmën e parë të vitit 2023, tha se do të punojë për një “Evropë më të sigurt, më të lirë dhe më të gjelbër“.

Marketing

Këto tri pika, sipas tij, do të jenë themeli i prioriteteve të Suedisë gjatë kryesimit me Bashkimin Evropian. Duke iu referuar agresionit të Rusisë në Ukrainë, Kristersson tha se forcimi i kapaciteteve të mbrojtjes së BE-së, si dhe bashkëpunimi me NATO-n dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të jenë të domosdoshëm për të vazhduar dhënien e ndihmës për Ukrainën në të gjitha aspektet.

Në dokumentet që publikoi Presidenca suedeze e BE-së për prioritetet e saj, raportet me Ballkanin Perëndimor dhe procesi i zgjerimit përmenden si çështje të rëndësishme në aspektin e sigurisë për tërë Evropën. Pritet që Presidenca suedeze të vazhdojë punën edhe rreth dy çështjeve të lidhura me Kosovën.

Njëra është përmbyllja formale e vendimit për liberalizimin e vizave, ndërsa tjetra ka të bëjë me shqyrtimin e kërkesës së Kosovës për anëtarësim në BE. Kjo është hera e tretë që Suedia do të jetë në krye të këtij institucioni. Anëtare e BE-së që nga viti 1995, ajo kishte kryesimin e radhës në vitin 2000 dhe në vitin 2009.