90 për qind e buxhetit të Ministrisë së Transportit për vitin 2019 është destinuar për investime kapitale. Kryesisht për rrugë, gazifikim dhe kanalizim e ujësjellës. Mbi 300 mijë euro në këtë buxhet u gjetën edhe për Haraçinën, për ta ndërtuar kanalizimin atmosferik që është një problem disa vjeçar i banorëve.
Por, Haraçina është një prej komunave të pakta me shumicë shqiptare që do të merr para nga Ministria e Transportit për të ndërtuar kanalizim ose rrjet të ujësjellësit. I pyetur nëse ndihma e Ministrisë definohet sipas linjës partiake, në këtë rast për kryetaren e LSDM-së në Haraçinë, ose etnike, Sugarevski mohon çfarë selektimi të qëllimshëm.
“Në buxhetin e ri kemi paraparë 20 milion denarë, ose mbi 300 mijë euro për ndërtimin e kanalizimit në Haraçinë, pasi që komuna nuk ka para, ndërsa ky është një prej problemeve më të mëdha të këtyre banorëve…Ja keni shembull një komunë ku jeton shumicë shqiptare, dhe po investohet, e kjo është Haraçina.
Po ndërtohet edhe në Zhelinë. Pro ndërtojmë edhe në vende të tjera bazuar në metodologjinë e Bankës Evropiane për Investim. Nuk ka asnjë tendecë për ndarje, për shembull këtu të ndërtohet e atje jo. Metodologjia vërtetohet në bazë të numrit të popullsisë dhe problemeve që i ka komuna. Ministria e Transportit nuk bën asnjë diskriminim në ndarjen e parave as për kanalizim e ujësjellës e as për investime të tjera”, deklaroi Goran Sugarevski, ministër i transportit.
Sa i përket investimeve të tjera kapitale, Sugarevski siguroi se po punohet dhe do të vazhdojë të punohet në ndërtimin e gazsjellësit që kalon në Vodno, pavarësisht reagimeve dhe protestave të shumta të ekologjistëve që thonë se shteti po i merr edhe ato pak hapësira të gjelbëruara, dhe po rrezikon ndotjen e mëtejme të ajrit. Sugarevski thotë se pemët që do të priten, e që janë të pakta, do të zëvendësohen me pemë të reja, ndërsa ngrohja me gaz në të ardhmen, dukshëm do ta ulët nivelin e ndotjes. Në buxhetin e 2019-ës, për ndërtim të gazsjellësit janë ndarë mbi 24 milion euro.
“Jam i bindur se gjithçka që do bëhet rreth gjelbërimit në shtet, do të bëhet atje. Gazifikimi është një prej projekteve më strategjike që ka edhe efekt pozitiv ekologjik. Jo vetëm pasi është projekt i Qeverisë. Ky projekt doemos duhet të vazhdojë. Prandaj i kemi paraparë këto mjete në buxhet. Për momentin po punohet edhe në Vodno edhe në pjesën e Negotinës, dhe sigurisht edhe në pjesën që kalon në Kavadar, Prilep dhe Manastir”, tha Goran Sugarevski, ministër i transportit.
Ndërkohë që Qeveria vazhdon me planet e saj dhe nuk heq dorë nga ideja që gazsjellësi të kalojë në Vodno, ekologjistët thonë se nuk do të lëshojnë pe, dhe kërkojnë që Vodno të mbrohet me ligj të veçantë.
I pyetur se si do të përgjigjet Maqedonia për mundësinë e kyçjes në “Rrjedhën turke” të gazit, pas informacioneve të fundit se në këtë rrjet do të kyçen Bullgaria, Serbia, Hungaria dhe Sllokavia, Sugarevski nuk deshi të komentojë.