Ministri i transportit dhe lidhjeve, Goran Sugarevski, u takua me kryetarin e komunës së Kërçovës, Fatmir Deharin, me të cilin bisedoi për projekte kapitale që duhet të realizohen gjatë vitit të ardhshëm, asfaltime rrugës, ujësjellës e kanalizime, si dhe vazhdimin e punëve për autostradën Kërçovë-Ohër si dhe për shfrytëzimin e mjeteve që ofron Banka Botërore për rrugë lokale dhe kanalizime.
Ministri Sugarevski paralajmëroi edhe ndërtimin e autostradës Kërçovë-Gostivar, e cila do të realizohet në tri faza të ndërtimit si dhe linjën hekurudhore Kërçovë – Lin, për të cilën është përgatitur dokumentacioni përkatës i projektit, ndërkohë që për realizimin e tij duhet të sigurohen 520 milion euro.
“Bëhet fjalë për dy projekte kapitale, njëri projekt prej 50 milion eurosh që financohet nga Banka Evropiane është për ujësjellës dhe kanalizime, ndërsa investimi tjetër prej 70 milion eurosh vjen nga Banka Botërore si investim për ndërtimin e rrugëve lokale, qeveria ka miratuar aneks kontratën për mjetet shtesë për autostradën Kërçovë – Ohër që kapin shumën prej 190 milion euro. Sipas marrëveshjes, me këto mjete pritet që ky projekt të përfundojë më vitin 2021”,- tha ministri i transportit dhe lidhjeve, Goran Sugarevski.