Kualifikimi i Kosovës në “play off”-et e “Euro 2020” nëpërmjet turneut më të ri të UEFA-s, Nations League, ka bërë jehonë edhe në mediet ndërkombëtare, të cilat i kanë kushtuar një hapësirë të rëndësishme fitores së thellë me shifrat 4-0 të “Dardanëve” ndaj Azerbajxhanit.
“Me Kosovën në Ligën D janë kualifikuar gjithashtu në ‘play-off’ edhe Gjeorgjia, Maqedonia e Bjellorusia”, shkruan gjermania “Kicker”, e cila nënvizon se njëra nga këto 4 ekipe, të ashtuquajtura “outsider”, do të jetë në finalet e “Euro 2020”.
“E sapoardhura Kosovë siguron kualifikimin në ‘play off’-et e Euro 2020”, shkruan amerikania “Washington Post”.
“Sky Sports” në Britaninë e Madhe shkruan: Kosova i jep vetes një mundësi për t’u kualifikuar në “Euro 2020”.
“News28.com” vjen me një titull shumë interesant: Kosova i habit të gjithë, siguron pjesëmarrjen në “play off” duke shkatërruar Azerbajxhanin.