Sulejman Rexhepi: Iku një vit plot me komplote e tradhti!

“Lufto në rrugën e Allahut! Ti je përgjegjës vetëm për veten tënde. Nxiti edhe besimtarët, se mbase Allahu e pengon fuqinë e jobesimtarëve! Allahu është më i fuqishmi dhe më i ashpri në dënime”, me këtë varg të Kuranit (En Nisa, 84), ish-Kreu i Bashkësisë Fetare Islame, Sulejman Rexhepi, ka nisur shkrimin e tij përmbledhës për ndodhitë e vitit 2020.

Marketing

Në statusin e tij në Facebook, tregon se duke i shfletuar dhe duke i sistemuar dokumentat që kanë dalë nga puna e tij 24 vjeçare si Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame në RMV, ka hasur në një dokument të qershorit të vitit 2008, të dalur pas mbledhjes së Rijasetit, e ku ka pasut fjali, si qëndrime unanime se “të gjithë këta të BDI-së ishin marksistë-leninistë që cak e kanë shkatërrimin e BFI-së!”.

“Marksistët-leninistët, nuk e pranonin fenë dhe institucionet fetare, nuk i pranonin mësimet dhe Librat e Shenja, marksistë-leninistët nuk pranonin as përkatësi kombëtare. E mbaj mend një anketë të “Zërit të Rinisë” së Shqipërisë, në kohën e Remzi Lanit (kryeredaktor), kur 90% për qind e shqiptarëve, në pyetjen se “çka jeni ju” ishin përgjigjur “komunistë”! Idelogjia marskiste-leniniste kishte arritur shqiptarin ta zhveshë nga përkatësia e vet etnike. Kishte krijuar një “komb të ri”! Një komb që nuk duhet t’i përkulet “bestitnyve dhe besimeve të kota” por “liderit ideologjik” që ishte më i fortë se “Zoti” i fetarëve që, sipas dogmave marksiste-leniniste, nuk janë asgjë tjetër përveçse llumi dhe ajka e analfabetëve dhe manipulantëve të një kombi!”, shkruan Rexhepi në Facebook.

Më tej në shkrimin e tij thotë se përfundimisht e pranon se i ka njohur këto qëndrime të marksistë-leninistëve, i ka të qarta synimet e tyre atëherë, i ka të qarta edhe synimet e sotshme që kanë përjetuar mutacion të tmerrshëm në raport me Institucionet fetare dhe nëpunësve fetarë, të cilët, sipas Rexhepit, i konceptojnë në shtab partiak dhe në militantë të partisë, ndryshe shndërrohen në pikado të partisë ku ushtrohet çdo ditë “preciziteti partiak” (etiketimi, linçmi, eliminimi)!

“Mirpor, në vend të realizimit të premtimeve, m’i militarizuan partiakisht bashkëpunëtorët e mi, brenda natës i mblodhën dhe prej tyre e kërkuan shpëtimin prej meje, sepse, gjithnjë e më shumë po ua rëndoj situatën politike. Kjo rëndesë ishte ekskluzivisht nga kërkesat e mia për ta përforëcuar BFI-në përmes denacionalizimit të tërësishëm dhe për ta avancuar jetën fetare islame! E, unë i shkreti, e kisha fshirë nga mendja se, marksistë-leninistët kurrë nuk e kanë pasur raportin e mirë me fe dhe me institucione fetare”, shkruan ish-Kreu i BFI-së.

Sulejman Rexhepi më pas shkruan se e kanë tradhëtuar, atë dhe bashkëpunëtorët e tij.

“Më tradhëtuan mua, i tradhëtuan bashkëpunëtorët e mi dhe po e shkatërrojnë BFI-në! Përzirja partiake e politike në BFI, garantimi i paprekshmërisë nga institucionet e drejtësisë dhe, përkrahja e luftës pakompromis në shkeljen e Kushtetutës si dhe të akteve të ndryshme të BFI-së, nuk është asgjë tjetër përveçse një “hyxhym” t’i dilet ballë kërkesave të “Rijasetit tim” përmes të cilit kërkoja të drejta absolute fetare në shtetin tim. Tani me po atë “Rijaset timin” po frenohen të gjitha aktivitetet fetare, po stimulohet një cirkuziadë e turpshme, shteti po lirohet nga presionet shumë nacionaliste dhe ekstremiste të Sulejman Rexhepit! Pra, i keqi paskam qenë unë dhe jo Rijaseti i këtij pushteti! Nuk ka dyshim se Allahu do ta ndëshkojë zullumqarin, Ai është i drejt, nuk bën dallim mes zullumqarëve, pra, ndëshkimin do ta marrin që të gjithë zullumqarët”, shprehet Rexhepi.

Në fund, thotë se nga përvoja e tij jetësore, tani po e shoh se “si po i afrohen BFI-së do re të zeza”.

“Disa tornado të tmerrshme, do shira mitike, dhe, nga kjo situatë apokaliptike e lagur dhe e rrahur do të dalë edhe BDI-ja. Struktura e saj e instaluar në këtë Institucion, e ndjenë përfundimin e vet të trishtë! Secili e përjeton atë për të cilën është angazhuar në jetën e vet: dikush si tradhëtarë, dikush si spiun, dikush si kasap, dikush si diskriminues politik, dikush si “zhongler fetar”… Ishalla – me iman!”, përfundon kështu shkrimin e tij, sh kreu i BFI-së, Sulejman Rexhepi./TV21