Sulm me raketa ndaj Lvivit, të paktën 7 të vrarë e 12 të plagosur

Të hënën ushtria ruse goditi me raketa qytetin në perëndim të Ukrainës, Lvivin, duke shkaktuar vdekjen e të paktën shtatë personave dhe plagosjen e 12 të tjerëve. Njoftimi u bë nga zyrtarët ukrainas. Ky zhvillim vjen ndërsa trupat ruse kanë intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës së këtij vendi, në përgatitje për një sulm në shkallë të gjerë në lindje.

Marketing

Lvivi dhe pjesa tjetër e Ukrainës perëndimore janë përballur me sulme sporadike gjatë pothuajse dy muaj luftimesh. Këto zona kanë shërbyer si strehë për ata banorë që janë zhvendosur nga ato pjesë të vendit ku luftimet kanë qenë më intensive.

Guvernatori rajonal i Lvivit Maksym Kozytskyy tha se si pasojë e sulmeve me raketa u goditën tre objekte të infrastrukturës ushtarake dhe një biznes. Ai tha se mes të plagosurve ishte dhe një fëmijë.

Analistët ushtarakë thonë se Rusia po i intensifikon sulmet ndaj fabrikave të armëve, hekurudhave dhe objektive të tjera të infrastrukturës anembanë Ukrainës, për të dobësuar aftësinë e këtij vendi për t’i rezistuar një ofensive të madhe tokësore në Donbas, qendra industriale lindore e Ukrainës, me një popullatë kryesisht rusisht-folëse.

Ushtria ruse tha se raketat e saj goditën më shumë se 20 objektiva ushtarakë në Ukrainën lindore dhe qendrore të dielën, mes tyre depo municionesh, shtabin komandues, trupa e automjete ushtarake. Po kështu ushtria ruse pretendon se ka goditur me artileri 315 objektiva të tjerë ukrainase dhe se avionët e saj luftarakë kanë kryer 108 sulme ndaj trupave dhe pajisjeve ushtarake ukrainase. Këto pretendime nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.

Qeveria e Ukrainës ndaloi evakuimet e civilëve për të dytën ditë të hënën, duke thënë se forcat ruse po bombardonin dhe bllokonin korridoret humanitare.

Pas një përpjekjeje të dështuar për të marrë Kievin, Rusia është e vendosur të pushtojë Donbasin, ku separatistët e mbështetur nga Moska tashmë kontrollojnë disa territore.

“Ne po bëjmë gjithçka për të siguruar mbrojtjen e Ukrainës lindore”, tha Presidenti Volodymyr Zelenskyy në fjalimin drejtuar kombit të dielën në mbrëmje.

Marketing