Sulmi Kibernetik në Kosovë, reagon Qeveria

Qeveria e Kosovës ka reaguar pas sulmeve kibernetike të llojit DDoS mbi sistemet qeveritare kosovare të ndodhura ditët e fundit.

Marketing

Qeveria tha se nuk janë cenuar të dhënat e ruajtura në Qendrën Shtetërore të të Dhënave të Institucioneve të Kosovës. Po ashtu bëhet me dije se të gjitha shërbimet qeveritare janë plotësisht të aksesesueshme dhe se nuk ka probleme në funksionimin e tyre.

“Gjatë javës së kaluar, në periudha të caktuara kohore, sistemet qeveritare janë ballafaquar me sulm kibernetik të llojit DDoS që ka shkaktuar pengesa të herëpashershme në shërbimin e internetit brenda institucioneve qeveritare dhe mungesë të herëpashershme të qasjes në disa shërbime qeveritare. Gjatë periudhave të sulmit, ekipi i sigurisë kibernetike në ASHI është angazhuar maksimalisht që impakti i sulmit në qasshmërinë dhe funksionalitetin e shërbimeve të jetë sa më i vogël. Në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm, me aplikimin e masave adekuate, sulmi kibernetik është tejkaluar dhe janë parandaluar tentativat për vazhdim të sulmit. Të gjitha shërbimet qeveritare janë plotësisht të qasshme dhe nuk ka pengesa në funksionimin e tyre. Gjatë këtij sulmi kibernetik në asnjë moment nuk janë cenuar të dhënat e ruajtura në Qendrën Shtetërore të të Dhënave në kuadër të Institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim./