Mbrëmë në Poliklinikën në Çair në shërbimin e kujdestarisë i cili funksionon në kuadër të sektorit të Ndihmës së Shpejtë, dy persona kanë sulmuar mjekun kujdestar, dhe infermieren.
Sipas rrëfimit të mjekut kujdestar, incidenti ka ndodhur në momentin kur infermierja u ka kërkuar pacientëve librezën e shëndetësisë, apo letërnjoftimin për ta regjistruar pacientin, të njëjtit të revoltuar nga ky akt kanë filluar të sulmojnë infermieren dhe mjekun.
Të punësuarit në këtë poliklinikë konfirmojnë se incidentet e këtij lloji janë shpeshtuar kohën e fundit, madje po ndodhin çdo dy muaj. Edhe përkundër faktit se deri më tani janë munduar që këto lloj dukurish t’i amortizojnë, megjithatë kërkojnë që organet përgjegjëse të merren më seriozisht me këto raste, dhe të njëjtat t’i evitojnë sa më shpejt.
“Hynë dy pacientë, u ulën për shërbime, dhe motra ia kërkoi librezën e shëndetësisë, i thanë që nuk posedon, pastaj ajo kërkoi letërnjoftim e pacientit, ai u përgjigj që as letërnjoftim nuk posedon. Më pas e pamë se ishte i revoltuar dhe filloi t’i bie tavolinës dhe të shajë dhe u vërsul drejt infermieres. Unë, nga frika se do ta sulmojë, hyra në mes të dyve, dhe pas pak më goditi në krah.
Më pas filloi që t’i përmbysë gjërat rreth e përqark, ndërsa derisa dilte theu edhe dritaren e derës kryesore. Incidente të tilla ndodhin shumë shpesh, pothuajse çdo të dytën apo të tretën ditë, por ne mundohemi këto t’i amortizojmë dhe mos ta lajmërojmë çdo incident, por incidente të tilla më thyerje na ndodhin në çdo dy muaj”,- u shpreh mjeku në poliklinikën në Çair, Senad Gërboviç.
Edhe infermierja kujdestare kërkon nga organet përgjegjëse të evitohen incidente të tilla.
“Kur i kërkova letërnjoftimin, ata filluan të shajnë dhe filluan të më sulmojnë, mjeku duke dashur të më mbrojë e zgjati dorën, ndërsa ata e goditën edhe atë në krah, filluan ta godasin edhe me gjësende tjera. Pastaj dëgjuam se diçka u thye, por nuk dolëm nga frika mos të na sulmojnë, kur dolëm më pas e pamë që e kishin thyer dritaren. Kërkojmë mbrojtje nga organet përgjegjëse, qytetarët duhet ta kuptojnë se ne jemi në shërbim të tyre dhe jo për të na sulmuar ose le të mbyllet punkti këtu”,- u shpreh infermierja, Magbula Çuçak.
Incidenti është konfirmuar edhen nga organet e rendit, të cilat menjëherë pas incidentit kanë dalë në vendin e ngjarjes për të hetuar rastin.