Nehat Foljeta dhe Sehar Xhenje janë dënuar me 2.6 vite burg secili për sulmin me thikë që kryen ndaj ish-trajnerit të Vllaznisë Ernest Gjoka. Treshja e gjyqtarëve Tonin Stërkaj, Arben Çela dhe Sokol Shehu, në vendimin e tyre përfundimtar kanë vendosur të ndryshojnë akuzën e ngritur nga prokuroria e Shkodrës për dy të pandehurit Foljeta dhe Xhenje, duke i dënuar ata për akuzën e “Goditjes për shkak të detyrës”.
Nga ana tjetër prokuroria e Shkodrës, gjatë pretencës së saj dhënë në gjykatë kërkoi deklarimin fajtor të dy të pandehurve dhe dënimin e Nehat Foljeta me 14 vite burgim ndërsa për Sehar Xhenje, organi i akuzës kërkoi dënimin me 12 vite burgim, për akuzën e “Vrasjes me dashje” në bashkëpunim mbetur në tentativë.
Por tjetër mendim kanë pasur avokatët e dy të akuzuarve, ku për Sehar Xhenjen, mbrojtja kërkoi që të deklarohej fajtor për akuzën e “Goditjes për shkak të detyrës” në dëm të Ernest Gjoka.
Ndërsa avokati i Nehat Foljeta, i kërkoi gjykatës që të deklaronte fajtor klientin e tij jo për “Vrasje me dashje” të mbetur në tentativë por dënimin e tij për akuzën e “Vrasjes së kryer në kapërcim të mbrojtjes së nevojshme” e mbetur në tentativë.
Në fund të gjykimit, treshja e gjyqtarëve pasi dëgjoi të dyja palët vendosi të shpallë fajtorë dy të pandehurit Nehat Foljeta dhe Sehar Xhenje, me nga 2.6 vite burgim secilin për akuzën e “Goditjes për shkak të detyrës”. Tashmë ky vendim është apeluar nga prokuroria e Shkodrës në gjykatë dhe pritet që në vijim, gjykata të marrë në shqyrtim kërkesën e akuzës për dënimin ose jo me 12 dhe 14 vite burgim dy të pandehurit e mësipërm.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 22 shkurt 2018, në orën 18:00 kur në Komisariatin e Policisë Shkodër është paraqitur Ernest Gjoka, me detyrë trajner i ekipit të futbollit “Vllaznia”, i cili ka bërë kallëzim në lidhje me një ngjarje të ndodhur pas seancës stërvitore të datës 22 shkurt 2018 të ekipit të “Vllaznisë, Shkodër.
Në kallzimin e tij Gjoka ka shpjeguar se pasdite ka qenë në stërvitje me ekipin e “Vllaznisë” tek Fusha-Lekurave dhe pas mbarimit të stërvitjes ka dalë nga fusha dhe po bisedonte me kapitenin e ekipit, Gilman Likën. Gjatë bisedës që ata po bënin ndërmjet tyre i është afruar një person me kapele, i cili pa i folur fare e ka qëlluar fillimisht me grusht.
Pas këtij momenti Ernesti ka reaguar për vetëmbrojtje po personi që e goditi ka nxjerrë nga brezi një thikë, ku ka tentuar që ta godasë Ernest Gjoka. Ky i fundit është larguar duke marrë një biçikletë dhe e ka goditur.
Pas kësaj goditje personi që kishte me vete thikën ka vazhduar që ta ndjekë, por Ernesti ka rrëshqitur e ka rënë dhe ai i është sulur me thikë në drejtim të Ernestit po ky i fundit e ka goditur me këmbë në gjoks dhe ai ka humbur ekuilibrin e është rrëzuar.