Sunaj Raimi, kryetar i ri i Klubit të Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut”

Sot në lokalet e Gjimnazit “Sami Frashëri” – Kumanovë, Klubi i Shkrimtarëve “Jehona e Karadakut” – Kumanovë, e mbajti Kuvendin e 7-të zgjedhor.

Marketing

Me këtë rast, kryetari i deritashëm, Fatos Rushiti, raportoi për aktivitetet e kryera gjatë mandatit katërvjeçar, duke theksuar faktin se jemi ndër klubet e vetme në mbarë hapësirën shqiptare që funksionojmë pandërprerë më tepër se tri dekada me radhë. Për çdo vit me nivel është mbajtur manifestimi tradicional “Takimet Poetike të Karadakut”, rregullisht është botuar revista më jetëgjatë kulturore shqiptare në Maqedoninë e Veriut “Doruntina” dhe libra të ndryshme, kryesisht të anëtarëve të klubit.
Pas diskutimeve dhe miratimit të raportit, kuvendarët zgjodhën me unanimitet edhe kryesinë e re të klubit, e cila do të udhëheq në mandatin e ardhshëm katërvjeçarë. Kështu, për kryetar të klubit njëzëri u zgjodh poeti, kantautori dhe profesori universitar Sunaj Raimi, njëri nga anëtarët më të vjetër të klubit, i cili vazhdimisht ka qenë aktiv në të gjitha aktivitetet letrare dhe kulturore – artistike të organizuara në vend dhe jashtë. Për nënkryetarë u zgjodhën poetët Selajdin Shabani e Arben Ibrahimi, gjithashtu anëtarë shumë aktivë që nga fillimet e para të klubit, kurse për sekretar u zgjodh poeti i ri dhe me perspektivë Emrah Bilalli.
Kryesia e re u zotua se do të vazhdojë me realizimin e plan-programit të paraparë të punës, begatimin e klubit me përmbajtje të reja letrare dhe artistike, si dhe bashkëpunimin me klubet tjera në mbarë hapësirën shqiptare dhe më gjerë.

Marketing