Sveçla konfirmon mbylljen e 3 komunave paralele serbe

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, konfirmoi se autoritetet më 2 shkurt kanë mbyllur 3 komuna paralele serbe në Pejë, Istog dhe Klinë.

Marketing

Më herët gjatë ditës, Prokuroria Themelore në Pejë bëri të ditur se Policia e Kosovës kishte ndërmarrë një aksion në disa lokacione nën dyshimet për veprimtari të paligjshme.

Sveçla tha se në Gorazhdec është mbyllur komuna ilegale e Pejës, në Osojan komuna paralele e Istogut dhe në Videjë komuna paralele e Klinës.

“Koha e paligjshmërisë ka përfunduar dhe institucioni i vetëm i Serbisë brenda Republikës së Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”, shkroi Sveçla në Facebook.

Reagime nga Lista Serbe dhe Serbia

Më herët gjatë ditës, zyrtarët serbë në Serbi dhe Lista Serbe në Kosovë reaguan ndaj këtij aksioni policor, që kishte për shënjestër ato që Serbia i quan organe të përkohshme, që punojnë sipas sistemit serb.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se përveç aksionit për mbylljen e organeve të përkohshme komunale në Pejë dhe Istog, Policia e Kosovës ka hyrë në qendrën mjekësore në Osojan dhe e kanë mbyllur të njëjtën.

Ndërkaq, Zyra për Kosovën në qeverinë serbe tha se kryetarët e organeve të përkohshme janë ndaluar nga Policia e Kosovës për t’u marrë në pyetje. Shefi i kësaj zyreje, Petar Petkoviç, e cilësoi aksionin policor si “vazhdim të spastrimit etnik” të serbëve që jetojnë në Kosovë.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, i bëri thirrje Beogradit zyrtar që t’i kërkojë Bashkimit Evropian dhe misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, që të pengojë “qërimin e hesapeve” nga ana e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me komunitetin serb.

“Sado e vështirë të jetë për të gjithë ne, duhet të ruajmë qetësinë e njëri-tjetrit, sepse as kjo e keqe nuk do të zgjasë përgjithmonë. Veprimet e Prishtinës duhet të shihen si veprime të pushtuesve dhe asgjë tjetër”, tha Lista Serbe.

Njoftimi për këtë aksion policor të realizuar të premten, vjen pasi më 26 janar, ministri i punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se autoritetet mbyllën katër komuna paralele serbe që po vepronin jashtëligjshëm në qarkun e Dragashit.

Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga qeveria e Serbisë dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.

Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale. Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.

Serbia, në buxhetin për vitin 2024, ka rritur financimin për punën e institucioneve paralele në Kosovë, përmirësimin e jetës së qytetarëve, informimin, por edhe për mbështje për klerikët dhe murgjit në Kosovë. Po ashtu, mbështet punën e Universitetit të Prishtinës me seli në Mitrovicën e Veriut dhe investon në projekte mjedisore.

Sipas të dhënave, buxheti për këtë vit për këto institucione në Kosovë do të jetë 11 milionë euro më shumë se buxheti paraprak. Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe./REL

Marketing