Sveçla: Së shpejti do të bëhet hapja e fabrikës së municioneve në Kosovë

Kosova ka nënshkruar marrëveshjen për hapjen e fabrikës së prodhimit të municioneve me prodhuesin shtetëror turk MKE.

Ministri i brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se kjo do të ndikojë në forcimin e kapaciteteve të Ushtrisë dhe Policisë së Kosovës.

Marketing

Sveçla ka thënë se puna për ndërtimin e fabrikës do të nisë shumë shpejt.

“Vullneti ynë është që kjo të bëhet sa më parë, ka gatishmëri edhe nga pala tjetër ata të fillojnë menjëherë dhe të ketë angazhim serioz që kjo të kryhet me sukses. Me përfundimin e saj një mangësi që e kemi pasur ne dhe ka qenë evidente do të tejkalohet qoftë në kuptimin e furnizimit të nevojave aktuale, qoftë në plotësimin e rezervave të nevojshme, po ashtu edhe në trajtimet shtesë të cilat janë të nevojshme për të gjitha institucione që përdorin këtë lloj të municioneve.”, – deklaroi ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ky projekt është pjesë e një iniciative më të gjerë për zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe sigurisë në Kosovë, tha Sveçla. Ai shtoi se Kosova është në bisedime dhe negociata me partnerë të ndryshëm, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si aleati kryesor strategjik i Kosovës.

“Për zhvillimin e gjithë industrisë së mbrojtjes dhe sigurisë kemi kontakte dhe biseda e negocime me të gjithë. Patjetër që ShBA-ja që është aleati ynë kryesor strategjik dhe kemi bashkëpunim të ngushtë edhe me të, do të bisedojmë me të gjithë ata partnerë të cilët plotësojnë nevojat tona, por edhe janë si vazhdimësi e bashkëpunimit të pakursyer, të pandalshëm mes nesh.”, – theksoi ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla.

Kontratën me prodhuesin shtetëror turk MKE e ka nënshkruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me ç’rast kompania turke merr përsipër ta vë në funksion fabrikën e municioneve, e cila do të shërbejë për prodhimin e kalibrave të ndryshëm të municioneve sipas standardeve të NATO-s.

Në këtë kontratë, përveç makinerisë prodhuese përfshihet edhe trajnimi i stafit, mirëmbajtja për një kohë të caktuar, si dhe pajisja me sisteme për testim të cilësisë dhe për kalibrim. Me të filluar prodhimi, fabrika do të funksionojë si ndërmarrje publike dhe si markë 100% kosovare.

Marketing