Sylejman Selimi dhe Jahir Demaku lirohen nga akuza për krime lufte

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sylejman Selimi dhe ish-pjesëtarit të UÇK-së Jahir Demaku, të cilët akuzoheshin për krime lufte kundër popullatës civile.

Aktgjykimi ndaj Selimit dhe Demakut u shpall të enjten nga gjykatësi Ngadhnjim Arrni, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas gjykatësit Arrni, të akuzuarit lirohen nga akuza pasi nuk është vërtetuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale për të cilën ngarkoheshin nga PSRK-ja.

Në aktgjykim thuhet se, trupi gjykues ka vlerësuar deklaratën e dëshmitarit A dhe nga ajo nuk është vërtetuar se cili person i ka shkaktuar dëmtime të njëjtit.

Po ashtu, sipas trupit gjykues, dëshmia e dëshmitarit A si e vetme ka qenë e mangët për të arritur standardin e të provuarit për krimet e luftës dhe vendimi është i bazuar në standardet vendore.

Fillimisht, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë ndaj 15 të pandehurve por që me aktvendim aktakuza është ndarë në dy akuza, “Drenica 1″, ku bëjnë pjesë Selimi dhe Dermaku dhe “Drenica 2”.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Mitrovicë, në maj të vitit 2015, kishte shpallur fajtor dhe kishte dënuar me tetë vjet burg Sylejman Selimin për keqtrajtim të ndaluarve në fshatin Likoc gjatë luftës. Bashkë me Selimin, Isni Thaçi dhe Jahir e Zeqir Demaku ishin dënuar me nga shtatë vjet burg, ndërsa me tri vjet burg ishte dënuar Nexhat Demaku.

Me nga tre vjet burgim ishin dënuar edhe Agim, Selman, Driton e Bashkim Demaj dhe Fadil Demaku.

Në shtator të vitit 2016, Gjykata e Apelit duke vendosur lidhur me ankesat e të akuzuarve kishte nxjerrë aktgjykim, duke vërtetuar në masë të madhe dënimet e shqiptuara nga Gjykata në Mitrovicë.

Mirëpo, Gjykata e Apelit ia kishte zbutur dënimin me një vit burg Sylejman Selimit.

Gjykata Supreme në korrik të 2017-ës kishte refuzuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë nga ana e të dënuarve, mirëpo, Gjykata Kushtetuese në qershor të 2018-ës, e kishte kthyer rastin në rishqyrtim Gjykatës Supreme.

E Gjykata Supreme, sërish kishte vendosur të refuzojë kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitura nga ana  mbrojtësve të të dënuarve.

Ndryshe, Sylejman Selimi akuzohej për pikën 6 të aktakuzës, kurse Jahir Demaku për pikën 3 të aktakuzës, për veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”, që parashihet dhe dënohet me nenet 22 dhe 142 të KPRSFJ (që momentalisht penalizohet me nenet 31 dhe 152 të KPRK).

Aktakuza thotë se në kundërshtim me nenin 3 të përbashkët dhe nenin 4 të Protokollit shtesë II dhe të gjitha rregullat e të drejtës ndërkombëtare në fuqi në kohën e konfliktit të brendshëm të armatosur në Kosovë, të pandehurit në cilësinë e pjesëtarëve Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në bashkëkryerje kishin cenuar integritetin trupor dhe shëndetin e një personi nga lagja Shipol në Mitrovicë, i ndaluar në qendrën e ndalimit të Likovcit, duke e rrahur atë në mënyrë të përsëritshme, në një datë të papërcaktuar në muajin gusht ose shtator 1998. /BetimipërDrejtësi

Marketing