Shqipëria luan si e kualifikuar ndeshjen e fundit në Grupin E ndaj Ishujve Faroe. Në vigjilje të përballjes së të hënës në orën 20:45, do të kërkohet të sigurohet vendi i parë në grup ndërsa në konferencë për shtyp foli trajneri Sylvinho.
Braziliani theksoi se kuqezinjtë nuk duhet ta ulin ritmin ndaj Ishujve Faroe, ndërsa shtoi se llogaritë për lojtarët e grumbulluar do të bëhen vetëm pasi të përfundojë ndeshja e fundit në grupe.
Pse kaq i përqendruar, jemi kualifikuar?
“Dua të falenderoj të gjithë njerëzit në Shqipëri, është një ëndërr. Që kur u kthyem kemi menduar për ndeshjen me Ishujt Faroe, kanë lojtarë të gjatë dhe që mbrohen mirë.
Ne kemi edhe objektivin tjetër që është vendi i parë në grup, duhet të bëjmë një paraqitje të mirë dhe më pas të presim një pozitë më të mirë për shortin e dy dhjetorit. Është një ndeshje e vështirë, por jemi në kushte shumë të mira dhe ta mbyllim me fitore këtë fushatë”.
I ke lehtësuar pak lojtarët?
“Ishte një ndeshje fizike dhe shumë e lodhshme psikologjiksht ajo ndaj Moldavisë. Ishte e vështirë ta bënim gjumin rehat para asaj ndeshjes, por lojtarët e menaxhuan shumë mirë, avash avash. 10 minutat e fundit ishin shumë të vështira, ta ulim ritmin nuk duhet ta bëjmë kurrë. Nuk e njoh fjalën relaks, duhet të kënaqim tifozët. I kemi fituar ndeshjet në shtëpi. Do të shoh gjendjen e lojtarëve në stërvitjen e fundit dhe kështu do ta kem më të qartë panoramën”.
Do të ketë ndryshime?
“Tifozët vijnë të festojnë, ne jemi në punë. Sa i përket ndryshimeve është pak e vështirë, djemtë vijnë vetëm pas një stërvitje rikuperuese, nuk ka pasur shumë kohë. Duhet të hedhim në fushë një skuadër më të freskët dhe do të ketë ndonjë ndryshim”.
Përzgjedhja për në Gjermani, shanset e Brojës apo Kumbullës?
“Nuk ka shumë kohë. Do të komunikojmë me lojtarët, kemi shumë lojtarë. Nesër kemi një finale për vendin e parë dhe më pas do të mendojmë. Sa i takon lojtarëve si Broja dhe Kumbulla, ata janë të dëmtuar, por ka edhe shumë lojtarë të tjerë. Do të shohim, është një punë e vështirë për trajnerin, por edhe e bukur sepse do të përzgjidhen më të mirët”.